Osmani në Mynih: Ndikimi i Rusisë përmes Serbisë është evident, dialogu të përfundojë me njohje reciproke
Në ditën e fundit të Konferencës së Sigurisë në Mynih, Presidentja, Vjosa Osmani ishte e ftuar si folëse në tryezën e rrumbullakët për të diskutuar të ardhmen e Ballkanit Perëndimor si dhe për sfidat dhe mundësitë në rrugën drejt strukturave euroatlantike.
Në fjalën e saj, Osmani ka thënë se Kosova përballet me sfida të shumta, përfshirë këtu edhe shtetet fqinje të cilët i ka cilësuar si “agresiv e destabilizues”, duke iu referuar Serbisë.
“Ndikimi i Rusisë përmes Serbisë është evident dhe se Serbia duhet të trajtohet si shteti që nuk bazohet në vlerat evropiane”, thuhet në komunikatën e Presidencës.
Po ashtu, Osmani përmendi edhe çështjen dialogut ku tha se Kosova ka dhënë propozime konkrete.

“Kosova çdoherë ka kontribuuar për paqen dhe sigurinë afatgjate dhe në dialog ka treguar angazhim aktiv duke dhënë propozime konkrete”, theksoi Osmani, duke shtuar se “procesi duhet të përqendrohet në njohjen reciproke si e vetmja zgjidhje që siguron paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon”.
Në diskutim kanë marrë pjesë edhe Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, përfaqësuesi i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, ministrat e punëve të jashtme nga rajoni, ambasadori i SHBA-ve në NATO, i dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach si dhe përfaqësues të shteteve, organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile.
Pjesë e kësaj konference kanë qenë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla./Shqip.com