Lajme Botë

Edhe Italia përfshihet nga flakët, digjen çadrat në plazh

Foto: Reuters

Zjarrfikësit në Itali thanë të shtunën se janë duke luftuar me zjarret për të dytën ditë radhazi në Sicili.

Gjatë së shtunës, qindra njerëz janë evakuuar nga shtëpitë e tyre dhe një aeroport i ishullit është mbyllur.

Tymi ka vështirësuar gjendjen në Katania, qyteti i goditur më së rëndi nga zjarret.

Zjarrfikësit thanë se kanë zhvilluar 250 operacione në Sicili gjatë 24 orëve të kaluara, 50 prej tyre vetëm në Katania. Qyteti i famshëm për arkitekturën e vet të stilit barok ndodhet buzë Malit Etna, në pjesën lindore të ishullit të Sicilisë.

Zjarret në Katania arritën deri në bregdet, duke e shkatërruar qendrën e pushimeve “La Capannina”, ku u panë çadra dhe shtretër të djegur, shkruan Reuters, transmeton Shqip.com.

Me temperatura deri në 40 gradë, era e ngrohtë i ka përhapur flakët edhe në pjesë të tjera të ishullit. Zjarre kanë shpërthyer edhe në provincën e Palermos, duke bërë që hiri të bie në qytet.

Situatë e rëndë është edhe në dy shtetet e tjera në Evropë, Turqi dhe Greqi. Në provincën turistike të Antalias kanë vdekur katër persona, ndërkaq janë djegur më shumë se 300 kilometra territor./SHQIP.com