Kosova fiton turneun e Pavarësisë
Turneu ndërkombëtar “Kupa e Pavarësisë” i mbajtur në Kampin Nacional të FFK-së, është fituar nga veteranët e Kombëtares së Kosovës.
Pjesë e këtij turneu ishin edhe veteranët e Kombëtares së Shqipërisë dhe ata të Greqisë.
Fillimisht në ndeshjen e parë u ballafaquan Shqipëria dhe Greqia, ku fitores iu gëzuan kuqezinjtë me rezultat 2:0, me golat e shënuar nga Gjergji Iliadhi dhe Armend Dallku.
Në ndeshjen e dytë u përballen Kosova dhe Shqipëria, e ku dardanët triumfuan me rezultat bindës 4:0.

Golat në këtë ndeshje u realizuan nga Muhamet Dragusha, Enis Fetahu, Sherif Topalli dhe Arben Zeqiri.
Veteranët e Kosovës ishin më të mirë edhe në përballjen kundër Greqisë, duke fituar me rezultat 2:0, me golat e Sherif Topallit dhe Tahir Ademit.
Kësisoj, trofeun “Kupa e Pavarësisë“ në fund iu takoi veteranëve të Kombëtares së Kosovës.
Pas hapjes së turneut, në oborrin e Kampit Nacional u mbjell një fidan i ullirit, i sjellë pikërisht nga Greqia./Shqip.com
