Lajme

Ish-presidenti Sejdiu: Ibrahim Rugova dhe Adem Jashari bazament i shtetit të sotëm

Fatmir Sejdiu - Ish-president i Kosovës

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu në 14-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë ka shkruar se përpjekja paqësore e viteve të 90-ta dhe fillimi i luftës për liri janë dy momente historike të cilat i kanë paraprirë ndërtimit të shtetit. 

Ai ka thënë se rruga e Kosovës drejt Pavarësisë nuk ishte e lehtë ngase shqiptarët nën okupim ishin munduar që të ruanin qenien e tyre duke u organizuar në forma të ndryshme.

Sejdiu në këtë ditë ka kërkuar që të ruhet sovraniteti dhe integriteti i shtetit të Kosovës.  Sejdiu mirëkupton kërkesat e qytetarëve të Kosovës të cilët janë duke bërë më shumë trysni ndaj elitës politike që të zhvillojë reforma me qëllim që një ditë shteti i Kosovës të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.

“Përpjekjet paqësore që prijës patën Presidentin Dr. Ibrahim Rugova, i cili në të gjitha rrethanat ishte insistues dhe konsistent në trinomin liri, pavarësi, demokraci, që dhanë si rezultat 17 shkurtin e vitit 2008.  Përpjekjeve paqësore iu shtua edhe rezistenca e armatosur me në krye Adem Jasharin, i cili deri në dhënien e vetes sakrifikoi çdo gjë për liri.  Prandaj, sot më shumë se kurrë duhet të dimë ta ruajmë dhe ta zhvillojmë atë që nuk ishte e lehtë të arrihej. Sot, si asnjëherë më parë duhet ta jetësojmë amanetin e gjithë atyre brezave që flijuan veten, për ta bërë Kosovën shtet të pavarur e sovran.  Sovraniteti dhe integriteti janë të shenjta dhe duhet të ruhen si të tilla”, ka shkruar ai në rrjetin social “Facebook”./Shqip.com