Lajme

Kuvendi mban seancë solemne për nder të 14-vjetorit të Pavarësisë

Kuvendi i Kosovës

Sot, Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë solemne për nder të 14 vjetorit të pavarësisë.

Drejtoria për media e Kuvendit të Kosovës ka njoftuar se seanca solemne do të fillojë në ora 11:00.

Në pikë të rendit të ditës është vetëm shënimi i 14 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Theksojmë se për nder të pavarësisë janë organizuar edhe disa aktivitete tjera shtetërore.

Ceremonitë për nder të kësaj dite do të fillojnë me ngritjen e flamurit shtetëror nga Garda Ceremoniale e FSK-së në oborrin e Zyrës së Kryeministrisë, në të cilin do të marrin pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca si dhe kryeministri Albin Kurti.

Manifestimi qendror do të jetë parakalimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, ndërsa edhe Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në seancë solemne.

Të gjitha Komunat kanë organizuar aktivitete që nisin me homazhe në nderim të dëshmorëve dhe martirëve si dhe janë paralajmëruar seanca solemne të Kuvendeve Komunale.

Mëngjesin e sotëm krerët e shtetit dhe përfaqësues të partive dhe institucioneve qendrore e lokale do të bëjnë homazhe te shtatorja e komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari në Prekaz dhe Skenderaj, shtatorja e Zahir Pajazitit në Prishtinë, varrezat e dëshmorëve në Gllogjan, Reçak dhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Krerët e vendit do të kenë edhe një pritje shtetërore me rastin e 14-vjetorit të pavarësisë së Kosovës në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Gjatë ditës janë paralajmëruar edhe një sërë aktivitetesh sportive dhe kulturore në të gjithë vendin./Shqip.com