Kosova për herë të parë garon me simbole shtetërore në Serbi

Kosova ka arritur të thyej një tjetër barrierë, duke marrë pjesë në Kampionatin Ballkanik U-20.
Për herë të parë atletët nga Kosova së bashku me simbolet dhe flamurin e shtetit garuan në Serbi.
Edhe pse u lejua të përdoren simbolet dhe flamuri në fanella, gjatë këtyre garave në Beograd nuk u valëvitë asnjë flamur në mënyrë fizike, për shkak të Kosovës.
Selektori i juniorëve, Lumbardh Shala, për Shqip.com ka thënë se Kosova në Beograd është trajtuar si çdo shtet tjetër.
“Kemi pasur një përvojë shumë më të veçantë për shkak se organizohej nga Federata Atletike e Serbisë, që asnjëherë më parë nuk kishte lejuar ndonjë sportist të marrë pjesë në organizimet e mëdha sportive që mbaheshin në këtë shtet.
Gjatë qëndrimit tonë në Beograd nuk na është shfaqur asnjë problem për sa i përket sigurisë tonë qoftë në hotel, në rrugë apo në stadium ku edhe mbahej gara. Na kanë trajtuar sikur edhe çdo shtet tjetër që ka marrë pjesë në këtë Kampionat Ballkanik, përveç që siguria për ekipin tonë ka qenë dukshëm më e madhe”.
Tutje, Shala ka treguar pse kjo garë ishte e veçantë për të.
“E veçanta e kësaj gare është se për herë të parë jemi prezantuar si shtet në një organizim sportiv të mbajtur në shtetin e Serbisë dhe unë mendoj se është thyer një barrierë e madhe dhe shpresoj se tani e tutje sportistëve të shtetit të Kosovës t’iu lejohet të marrin pjesë në të gjitha evenimentet e mëdha sportive që organizohen në shtetin e Serbisë”.

Në këto gara morën pjesë gjashtë atletë: Florentina Restelica, Sara Susuri, Ejona Shala, Enis Bytyçi, Granit Ahmeti dhe Olti Bytyqi.
Sara Susuri për Shqip.com ka thënë se gara në Serbi ka qenë ndryshe.
“Pasi që unë si atletët e Kosovës jam paraqitur edhe në shumë shtete të tjera mund të them që kam filluar te adaptohem me garat jashtë vendit, por normalisht që pjesëmarrja në shtetin e Serbisë ka qen një ndjesi që më ka dhënë adrenalin dhe shumë emocione. Paraqitja në përgjithësi ka qenë e mirë, por në këtë garë për ne ka qenë më e rëndësishme të garojmë dhe të marrin pjesë së bashku me 20 shtetet e tjera”.

Kujtojmë që në fund të vitit të kaluar, boksierëve nga Kosova nuk iu lejua të marrin pjesë në botërorin e mbajtur në Beograd.
Atyre iu ndalua hyrja në Serbi me simbole shtetërore dhe fanella me mbishkrimin Kosova./Shqip.com