Mesiq: Serbët e urrejnë Millosheviqin, jo pse shkaktoi luftëra të përgjakshme, por pse i humbi ato

“Serbët vazhdojnë ta urrejnë Millosheviqin jo pse shkaktoi gjithë ato luftëra të përgjakshme, por pse i humbi ato”.
Kështu deklaroi të shtunën ish-presidenti kroat dhe autori i librit “Si është rrënuar Jugosllavia”, Stjepan Mesiq, në takimin që ka zhvilluar me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcën.
Pasi falënderoi këtë të fundit për pritjen, riktheu në kujtesë ngjarjet që çuan në shpërbërjen e Jugosllavisë dhe përballjet e tij për Kosovën me kryekriminelin Sllobodan Millosheviq.
“Jugosllavia ka mundur të shpërbëhet pa luftë, por politika shoviniste e Millosheviqit ishte ajo që iu shkaktoi tragjedi popujve joserbë në këto hapësira. Ai mendonte se do të arrinte ta gënjente botën për “të drejtën serbe”, por gënjeu veten dhe serbët”, tha ndër të tjera Mesiq, njofton Zyra për media e Kuvendit.

Ish-presidenti kroat premtoi se do të vazhdojë të jetë zë i fuqishëm i kudondodhur në përkrahje të aspiratave integruese të Republikës së Kosovës.
Në anën tjetër, Konjufca e cilësoi atë si mik të sinqertë i cili “ka shprehur gjithmonë përkrahjen e tij për Kosovën”.
“Ai i shprehu gjithashtu mirënjohje Kroacisë mike për mbështetjen e gjithanshme që i ka dhënë vendit tonë. Dy vendet tona, si partnerë strategjikë, kanë marrëdhënie të forta miqësie dhe bashkëpunimi në shumë fusha me interes të përbashkët, përfshirë edhe atë të legjislativit, vuri në pah z. Konjufca”.
Sipas kryetarit Konjufca, Kroacia ishte dhe do të jetë edhe më tutje mbështetëse e fuqishme e Kosovës në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian dhe në strukturat euroatlantike.

Stjepan Mesiq ka ardhur për vizitë zyrtare në Kosovë të shtunën. Përveç Konjufcës, ka takuar edhe kryeministrin e vendit, Albin Kurtin./SHQIP.com