Gërvalla: Njohja e patentë shoferëve nga Gjermania do të na ndihmojë në negociatat me shtetet e tjera

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, i është gëzuar lajmit për njohjen e patentë shoferëve të Kosovës nga shteti gjerman, ndërsa ka thënë se ky shembull do të jetë ndihmesë gjatë negociatave me shtetet e tjera rreth këtij procesi.
Gërvalla ka thënë se është e vetëdijshme se shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit ballafaqohen me shumë sfida, të cilat kërkojnë zgjidhje sa më të shpejtë.
E për një pjesë të madhe të tyre ka premtuar se “me punë e përkushtim në të ardhmen do të mund t’i zgjidhim një e nga një”.
“Jam e bindur që shembulli me Gjermaninë të jetë një ndihmesë e madhe edhe gjatë bisedimeve dhe negociatave që jemi duke zhvilluar me shtete të tjera rreth njohjes së lejeve/patentave tona”, ka shkruar kryediplomatja e Kosovës në rrjetin social “Facebook”.
“Jam e ndërgjegjshme që qytetarët tanë jashtë vendit ballafaqohen edhe me plot sfida të tjera, të cilat kërkojnë zgjidhje sa më të shpejtë. Por në anën tjetër jam e bindur që me punë e përkushtim në të ardhmen do të mund t’i zgjidhim një e nga një edhe një pjesë të madhe të tyre”.
Ndërsa, sa i përket shtetasve të Kosovës që jetojnë në Gjermani, ka thënë se ditëve në vijim do të njoftohen rreth afateve ligjore si dhe të gjitha detajeve lidhur me përdorimin e lejes/patentës.
“Falënderoj nga zemra TË GJITHË ata, të cilët me punën e tyre kontribuuan sado pak në njohjen e lejeve/patentave nga Kosova në Gjermani”.
“Shfrytëzoj rastin të falënderoj veçanërisht ish-Ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, z. Heiko Maas për mbajtjen e premtimit të dhënë vitin e kaluar në Prishtinë që çështjen e këtyre lejeve/patentave do ta përcillte në Këshillin Federal para se të përfundonte mandatin e tij”.
Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani të premten ka njoftuar se shteti gjerman ka marrë vendim t’i njohë patentë shoferët nga Kosova. Ky propozim ka marrë miratimin e të 16 landeve gjermane.
Njohja e patentë shoferëve të Kosovës në Gjermani ishte një nga kërkesat kryesore prej vitesh të shtetasve kosovarë që jetojnë atje.
Deri tani, patentë shoferët e Kosovës në Gjermani kishin validitet vetëm gjashtë muajsh.
Pas kësaj periudhe, duhet të futeshin në procedurë nga fillimi për marrjen e patentë shoferit nga institucionet gjermane./Shqip.com