MSh: Të premten rishqyrtohen masat kundër COVID-19

Masat për kontrollin dhe parandalimin e përhapjes së Coronavirusit në Kosovë, pritet të rishqyrtohen të premten e 4 shkurtit.
Kështu ka bërë të ditur Arsim Berisha, zëvendësministër i Shëndetësisë, derisa ka shtuar se të enjten do të takohen me ekspertët për të vendosur për masat e reja.
“Ne i kemi marrë parasysh të gjitha kritikat që janë dhënë nga ana e publikut dhe akterëve politikë, si dhe patjetër që këto masa do të shqyrtohen me datën 4 shkurt. Përderisa që tre ditë kemi një përmbytje për të mirë të të shëruarve në raport me të infektuarit ne do të presim edhe dy ditë”.
“Ditën e enjte ne takohemi së bashku me ekspertët dhe në bazë të situatës në kohë reale ne do të shikojmë dhe do të vendosim për masat e reja”, ka thënë ai në Klan Kosova.
Qeveria e Kosovës ka miratuar masa të reja për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 të cilat kanë hyrë në fuqi me 4 janar 2022 dhe vlejnë deri me 4 shkurt 2022.
Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë 2 mijë e 33 persona kanë rezultuar pozitiv me COVID-19 nga 10 mijë e 87 testime./SHQIP.com