Lajme

Arrestohet aktivisti i PSD-së pas protestës kundër shtrenjtimit të rrymës

Protesta kundër shtrejtimit të rrymës

Partia Socialdemokratike ka njoftuar se aktivisti, Adem Megjuani është arrestuar nga Policia e Kosovës pas protestës kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Nga PSD-ja u bë e ditur se Megjuanit i kanë shqiptuar masën e ndalimit për 48 orë.

“Kjo masë nuk i përmbush asnjërën prej kushteve të parapara me Kodin e Procedurës Penale për shqiptimin e saj”, thuhet në njoftim.

PSD-ja e ka cilësuar abuzim të pushtetit, mënyrën se si ka vepruar prokurori i rastit.

“Mënyra se si ka vepruar prokurori i rastit përbën abuzim të pushtetit të tij e shkelje të të drejtave të aktivistit tonë. Joproporcionaliteti i veprimeve të prokurorisë është proporcional vetëm me nevojën e pushtetit për të disiplinuar veprimet opozitare të PSD-së”, thuhet tutje në njoftimin e PSD-së.

Nga kjo parti gjithashtu kanë thënë se “partisë-shtet i ka penguar pjesëmarrja masive e njerëzve në protestë. Menjëherë nisën me gjueti shtrigash”.

Ndryshe, pasditen e së shtunës është mbajtur në sheshet e Prishtinës protesta kundër rritjes së çmimit të energjisë.

Me pankartat ”Ju e rrisni çmimin, ne rezistencën”, “Krejt rrogat në rrymë”, “Krejt dhe shtrenjtë”, “Lypëm dritë, gjetëm terr”, “Populli i bashkuar ka për të fituar”, protestuesit shprehën pakënaqësitë e tyre ndaj propozimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Sipas të dhënave nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, në protestë kanë marrë pjesë dy mijë e 500 deri në tre mijë protestues.

Rritja e çmimit të energjisë elektrike është paralajmëruar nga Qeveria për shkak se “Kosova po blen rrymë me çmime të larta dhe nuk po mund të plotësojë kërkesën me prodhimin e rrymës në termocentralet ‘Kosova A’ dhe ‘B’”.

Lidhur me këtë, ZRRE ka propozuar rritje të çmimeve për amvisëritë për 9 për qind, teksa Qeveria ka ndarë 75 milionë euro për subvencionimin e një pjese të faturave të energjisë.