Sindikata kërkon hetim ndaj Molliqajt i cili goditi me shuplakë zyrtarin policor
Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar pas sulmit mbi zyrtarët policorë nga kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, gjatë protestës të së shtunës.
Përmes komunikatës, Sindikata ka deklaruar se sulmi vërehet shumë qartë në video incizime, prandaj kërkojnë nga organet e drejtësisë që të veprojnë sipas procedurave ligjore dhe ata që i kanë sulmuar zyrtarët policorë të hetohen zyrtarisht.
“Sindikata e Policisë do të monitoroj të gjitha reagimet e organeve të drejtësisë dhe do të qëndroj në ballë të mbrojtjes së Zyrtarëve Policorë në çdo rrethanë dhe moment që ndodh padrejtësi ndaj tyre”, thuhet në reagim.
Tutje, SPK e ka cilësuar si “poshtëruese” hedhjen e mjeteve të ndryshme nga protestuesit në drejtim të zyrtarëve policorë.
Ndërkaq, zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi, për Shqip.com ka thënë se reagimi i Molliqajt ishte vetëmbrojtës dhe assesi me një qëllim.
Ndryshe kjo protestë u mbajt para Qeverisë së Kosovës e cila ishte thirrur nga PSD-ja duke kundërshtuar shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Sipas të dhënave nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut u bë e ditur se në protestë kanë marrë pjesë rreth 2 mijë e 500 deri në 3 mijë protestues./SHQIP.com