Lajme

Protestuesit hedhin poça elektrikë dhe qirinj në ndërtesën e Qeverisë, Molliqaj: Kurti është frikacak

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, gjatë fjalimit para protestueve ka hedhur akuza ndaj kryeministrit, Albin Kurti për shtrenjtimin e rrymës.

Sipas Molliqajt, përmes rritjes së çmimit të enegjisë elektrike, Kurti i ka bërë shërbim, KESCO.

“Kur liria pengohet ajo bëhet kauzë siç u bë sot. Kur pabarazia shtypet ajo bëhet kauzë siç u bë sot. Kryeministri aktual ka 10 vite që ka folur për dëmet e privatizimit të distribucionit. Askush më shumë se ky kryeministër nuk i ka bërë favor kompanisë KESCO”.

“Për dy muaj ai i ka ndarë nga taksat tona nga buxheti hiç më pak se 120 milionë euro. A e dini si është puna e fitimeve të kësaj kompanie. Siç thotë populli s’ngihen kurrë. Sa më shumë që i jep ma shumë dojnë dhe për këtë arsye kjo kompani e ka në plan që pas 120 milionëve që i ka marr deri më tani, ta bankrotojë KEK-un. Që tre muaj ajo ia ka borxh KEK-ut mbi 50 milionë euro”, tha Molliqaj.

Dardan Molliqaj- kryetar i PSD-së

Gjithashtu, ai e quajti ish-liderin e tij, “frikacak” dhe se nuk ka “as shokë, as shoqe për me punu, ka veç instrumente me i përdor dhe vetëm armiq për me i luftu”, tha ai gjatë protestës.

Molliqaj ka përmbyllur protestën ndërsa ka ftuar aktivistët e PSD-së dhe protestuesit e tjerë të gjuajnë poça elektrikë dhe qirinj në drejtim të objektit të Qeverisë së Kosovës në shenjë revolte.

Një protestë tjetër për motive të njëjta është mbajtur më 26 janar e organizuar nga disa organizata joqeveritare./Shqip.com