Lajme

SBASHK-u: Nëse nuk i rritni pagat, do të ketë grevë të përgjithshme në arsim

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj

Sindikata e Arsimit ka reaguar pas deklaratës të zëvendësministrit të MASHTI-t, Dukagjini Pupovci, pasi ky i fundit ka thënë se “aprovimi i Ligjit të pagave nuk do të thotë edhe ngritje e tyre”.

Përmes një reagimi nga SBASHK-u ka paralajmëruar grevë të përgjithshme në sistemin e arsimit në rast se nuk përfillen kërkesat e tyre.

“Nëse kjo nuk përfillet, atëherë Ministre Nagavci, ky nuk është as shantazh e as kërcenim, por alarm e paralajmërim me kohë se SBASHK do ta respektojë zërin dhe vullnetin e anëtarësisë  dhe se do të kemi veprime sindikale duke mos përjashtuar edhe grevën e përgjithshme në tërë sistemin arsimor”, thuhet në reagim.

Ndërsa, kanë uruar që deklarata e Pupovcit të mos gjejë zbatim.

“Në të kundërtën, nëse vërtetë grupi punues i Ministrit Sfeçla dhe Qeveria Kurti po përgatitin një ligj të tillë që nguros pagat ekzistuese pa bërë lëvizjet e duhura pozitive në to, atëherë  këtë farë ligji le ta mbajnë për vete”, thuhet më tej në reagim.

Foto nga greva e SBASHK-ut

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, më 20 janar ka përsëritur zotimin e tij se Ligji për Paga do të procedohet për miratim në Qeveri në muajin mars.

Ai ka thënë se ministrisë po i merr kohë analizimi i ligjit, por ka shtuar se “kjo do të shërbejë që ligji të jetë i zbatueshëm”.

“Nga raportimi i fundit që kemi pasur në dhjetor, jo më shumë se një muaj, janë zhvilluar takime të shpeshta për finalizim. Janë diskutuar koeficientet për secilën pozitë – në bazë parimore, të drejtë e mosdiskriminuese. Lista duhet të jetë parimore e të reflektojë barazi. Në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, janë eliminuar pjesët ku është vlerësuar se janë tejkaluar kompetencat e Qeverisë”, ka thënë ai në Kuvend duke shtuar se me ligjin që planifikohet të miratohet “do të ketë sistem të mirëfilltë, afatgjate, të zbatueshme e funksionale të pagave dhe shpërblimeve”.

Sveçla ka thënë se MPB-ja po punon me Ministrinë e Financave për të caktuar koeficientin për të pasur barazi në sektorin publik./Shqip.com