Agim Veliu godet Abdixhikun: Po e shkatërron bastionin e fundit të LDK-së

Ish-kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, Agim Veliu ka drejtuar sërish akuza ndaj kryetarit të kësaj partie, Lumir Abdixhiku.
Veliu shprehet se thirrja e Kuvendit të jashtëzakonshëm në degën e LDK-së në Podujevë, është kundër statutit të partisë dhe i paligjshëm, andaj edhe nuk do të merr pjesë.
“Ata që vitin e kaluar i dhanë goditjen e parë degës së LDK-së në Podujevë, duke e zhveshur nga kompetenca kryetarin dhe kryesinë e degës, po vazhdojnë misionin e tyre të shkatërrimit të degës. Të njëjtit, në krye me kryetarin e partisë Lumir Abdixhiku, sërish duke shkelur mbi statutin e LDK-së, qenkan mobilizuar gjatë natës dhe në mënyrë klandestine paskan thirrur një Kuvend të jashtëzakonshëm të degës në Podujevë”, ka shkruar Veliu në Facebook.

Duke shtuar se nuk do të merr pjesë, në siç e quan ai, “farsë”, ku sipas Veliut “do të tentohet të kontrabandohet një kryetar i ri, që nuk është as pjesë e strukturave të degës sonë”.
Agim Veliu thotë se një veprim i tillë nga Abdixhiku dhe dhe anëtarët e tjerë të degës së Podujevës të cilët i quan “misionarë anti-LDK”, do ta çojnë drejt shkatërrimit “bastionit e fundit” të kësaj partie./Shqip.com