Lajme

Kurti mirëpret progresin e Kosovës në luftën kundër korrupsionit: Veprimet tona po vlerësohen pozitivisht

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka mirëpritur progresin e Kosovës në luftën kundër korrupsionit duke u renditur në vendin e 87-të nga 180 vende, përcjell Shqip.com.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti mori meritat për këtë duke thënë se “ende pa u bërë një vit nga marrja e detyrës, veprimet tona kundër korrupsionit vlerësohen pozitivisht nga organizata kredibile”.

Lexo edhe:
Haxhiu për progresin në luftën kundër korrupsionit: Brenda mandatit synojmë t’i afrohemi mesatares evropiane

“Zotimi ynë për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit institucional është duke dhënë sinjalet e para shumë optimiste. Nga pozita 104 në pozitën e 87, në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, Kosova e ka përmirësuar pozitën e saj për 17 vende.

Sigurisht që duhet edhe më mirë e sigurisht që do të punojmë më shumë, derisa Kosova të jetë afër e bashkë me vendet e pastra për nga korrupsioni”, thuhet ndër tjerash në postimin e tij.

Ndryshe, ky reagim erdhi pasi që Kosova ka shënuar përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit duke marrë 39 pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021, të përpiluar nga organizata ndërkombëtare, Transparency International.

Këtë vit Kosova është radhitur e 87-ta, duke shënuar përparim krahasuar me vitin e kaluar kur ishte e 104-ta me 36 pikë.

Lexo edhe:
Kosova bën përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit

Indeksi radhit çdo vit 180 shtete dhe territore të botës në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik.

Ai përdor një metodologji pikësh, sipas së cilës zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 për një vend të pastër nga kjo dukuri./SHQIP.com