Lajme

Dy të lënduar nga aksidenti në Kroaci u liruan sot nga spitali, nesër lirohen edhe tre

Dy mërgimtarë të cilët janë lënduar në aksidentin tragjik që ndodhi në Kroaci janë liruar të mërkurën nga spitali, ndërsa tre të tjerë do të lirohen të enjten, njofton Shqip.com.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se edhe i lënduari që ishte në gjendje më të rëndë, ka dalë nga kujdesi intensiv.

“Përderisa gjatë tërë ditës ndajmë dhimbjen me familjarët e viktimave të aksidentit në Sllavonski Brod, të cilët u sollën sot dhe po varrosen në vendlindjet e tyre, lajme të mira vijnë nga Kroacia.

Dy bashkëkombës u liruan nga spitali e tre lirohen nesër kurse edhe Muharremi ka dal nga kujdesi intensiv dhe është në gjendje stabile. Gjithë të lënduarve shërim sa më të shpejt, e familjarëve të viktimave forcë për ta përballuar dhimbjen!”, ka shkruar Sveçla.

Në aksidentin e së dielës që ndodhi në Slavonski Brod të Kroacisë, ku u përfshi një autobus me targa të Kosovës mbetën të vdekur 10 persona, ndërsa u lënduan 45 udhëtarë.

Autobusi i linjës Frankfurt – Prishtinë, kishte 67 udhëtarë, të gjithë shqiptarë që po vinin në Kosovë për pushime.

Në autobus ishin dy shoferë, njëri prej të cilëve vdiq në aksident, derisa tjetri, që ishte duke e drejtuar autobusin, është në paraburgim prej një muaji në Kroaci.

Masa e paraburgimit është vendosur dje nga Gjykata e Qarkut në Slavonski Brod./SHQIP.com

/Shqip.com