Supremja liron nga akuza ish-sekretarin e MPB-së, i përfshirë në rastin “Pronto”

Gjykata Supreme të enjten e ka liruar nga akuza ish-sekretarin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi, i cili po akuzohej në rastin “Pronto”, përcjell Shqip.com.
Ai ishte liruar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, por që u shpall fajtor nga Gjykata e Apelit, e cila e kishte dënuar atë me një vit e katër muaj burgim me kusht.
Ndaj vendimit të Apelit, mbrojtësi i të akuzuarit, Gëzim Kollqaku kishte bërë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, e cila e kishte aprovuar këtë kërkesë të tij më 22 nëntor 2021 dhe ka vendosur që përfundimisht ai të lirohet nga akuza, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, më 3 janar të vitit 2020, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj 11 të akuzuarve në këtë rast.
Por, Apeli më 30 qershor 2020, pjesërisht kishte ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë dhe kishte shpallur fajtorë Adem Grabovcin, Ilhami Gashin, dhe Sedat Gashin, për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”.
Grabovcit i ishte shqiptuar dënim unik prej një vjet e 2 muaj burgim, i cili nuk do të ekzekutohej nëse i dënuari nuk do të kryente vepër penale, në kohëzgjatje prej dy vitesh.
Ilhami Gashit i ishte shqiptuar dënim prej një vit e 4 muaj burgim, të cilit poashtu nuk do t’i ekzekutohej dënimi nëse nuk dotë kryente vepër tjetër penale.
Ndërkaq, Sedat Gashi, ishte dënuar me burgim prej 8 muajsh, i cili nuk do të ekzekutohej në rast se i njëjti nuk kryente vepër penale në kohëzgjatje prej 1 viti.
Kurse për të tjerët, Besim Beqajn, Zenun Pajazitin, Nijazi Kryeziun, Arbenita Pajazitin, ish-sekretarin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Fatmir Shurdhajn, Ismet Nezirajn, Xhavit Dakajn dhe Rexhë Abazin, Apeli e ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), duke e vërtetuar aktgjykimin lirues të shkallës së parë./SHQIP.com