Shefja e re e UNMIK-ut në Kosovë shprehet e përkushtuar për mbështetje të dialogut

Shefja e re e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, ka arritur në Kosovë të mërkurën, përcjell Shqip.com.
Ajo është shprehur se do të mbeten të përkushtuar që të mbështesin dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.
Sipas komunikatës së UNMIK-ut, Ziadeh është shprehur se nën udhëheqjen e saj, do të mbajnë përkushtimin për mbështetje ndaj institucioneve dhe popullit të Kosovës.
“Nën udhëheqjen time, UNMIK-u do të mbajë përkushtimin për të mbështetur institucionet dhe popullin e Kosovës në realizimin e një të ardhmeje më paqësore dhe prosperuese përmes promovimit të të drejtave të njeriut, ndërtimit të besimit ndërmjet komuniteteve dhe fuqizimit të agjentëve të ndryshimeve pozitive, duke përfshirë gratë dhe të rinjtë”, tha ajo.
Ziadeh, e cila është nga Libani, në këtë post do ta zëvendësojë Zahir Taninin.
Pas shërbimit që nga viti 2017 si Drejtoreshë e Departamentit të Organizatave Ndërkombëtare, Konferencave dhe Shërbimeve Kulturore në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Emigrantëve të Libanit, Znj. Ziadeh sjell me vete një përvojë gati 30 vjeçare në diplomacinë ndërkombëtare me njohuri të gjerë të Kombeve të Bashkuara ku udhëhoqi delegacionet kombëtare në Kombet e Bashkuara për ҫështje të ndërlidhura me të drejtat e njeriut, agjendën mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe migrimin.
Ish-Zëvendëse e Përfaqësuesit të Përhershëm të Libanit pranë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork (2006-2017), PSSP Ziadeh shërbeu në Ambasadat e Libanit në Mbretërinë e Bashkuar (2004-2006), në Belgjikë dhe Bashkim Evropian (1994-1999), si dhe në Misionin e Përhershëm të Libanit në Vjenë dhe Ambasadat në Austri, Kroaci, dhe Sllovaki (1999-2002).
PSSP Ziadeh mban diplomë Bachelor të Arteve dhe Master të Arteve në Ekonomi dhe Shkenca Politike nga Universiteti Libanez, Bejrut, dhe Diploma në Marrëdhëniet Ndërkombëtare nga Universiteti Libre de Bruxelles dhe Akademia Diplomatike e Vjenës. Ajo flet rrjedhshëm arabisht, anglisht dhe frëngjisht./SHQIP.com