Fakulteti i Arteve me pak instrumente e pa hapësira për prova

Studentja e muzikës në Fakultetin e Arteve, Anamarija Nulleshi, është në fund të studimeve dhe për tre vjet po përballet me mungesë të kushteve esenciale.
Si studente e pianos asaj i duhet të pres në radhë për të praktikuar.
Derisa, fakulteti nuk ka fare hapësira për provat e muzikës.
“Unë studente jam shumë e pa kënaqur dhe e dëshpëruar me ato pak instrumente që i posedojmë në fakultetin e muzikës, sepse shumica e studenteve të cilët banojnë në Prishtinë kanë nevojë të ushtrojnë në instrumente si dhe te kenë klasë ku te akomodohen për ushtrim”, ka thënë ajo për SHQIP.com.

Me probleme të njëjta përballen edhe studentët e departamenteve të tjera, si nga skulptura dhe dramaturgjia.
Studentja nga skulptura, M.U, thotë se përveç hapësirës së pamjaftueshme përballet edhe me mungesë të literaturës.
“Nuk janë kushtet e mira në fakultetin tonë, mungesa e materialeve, dhe e literaturës si dhe hapësirat e vogla për punime, mungesa e atelieve shpesh pengojnë punën tonë”, ka thënë ajo.
Të njëjtat i ka pohuar edhe profesoresha universitare, Zake Prelvukaj, e cila thotë se pothuajse të gjitha departamentet në Fakultetin e Arteve, kanë problemin e njëjtë– atë të hapësirës së pa mjaftueshme.
Prelvukaj zgjidhjen e vetme e sheh ndërtimin e një objekti të ri, që plotëson kërkesat e studentëve dhe profesorëve.
“Fakulteti i Arteve duhet të ketë një objekt të posaçëm, sepse nëse shihni ku zhvillohet grafika, që është shumë e rëndë me kimikale, dhe është ndër më të rëndat të realizohet në Fakultetin e Arteve, sepse e bënë njeriun të alivanoset prej kimikaleve”, ka shtuar Prevlukaj.

Ajo thotë se duhet të investohet në çdo institucion të arteve, pasi arti konsiderohet kulturë e vendit.
“Mendoj që Fakulteti i Artit dhe institucionet e artit, duhet të kenë objekte, të punohet më shumë sepse asgjë nuk e reprezenton më shumë shtetin se sa arti”, thotë ajo.
Në anën tjetër, dekani i këtij fakulteti, Hazir Haziri, thotë se hapësirat e këtyre objekteve nuk janë menduar nga fillimi për arte, dhe ndër vite ato janë përshtatur dhe orientuar në atë mënyrë që studentëve tu ofrohet mundësi për studime artistike.
“Për këtë ne kemi bërë kërkesë si fakultet disa vite me radhë dhe mund të themi që këtë vit kemi arritur që të jemi ndër prioritetet Menaxhmentit qendrorë të UP-së, në këtë aspekt na nevojitet edhe ndihma nga Rektorati, Ministria, Komuna e Prishtinës, që të mbështetet nisma për ndërtimin e objekteve të reja për Artet, ku natyrisht ato objekte do të ishin konform kërkesave dhe specifikave te studentëve”, ka shtuar ai.

Në mungesë të kushteve, Haziri thotë se janë mbështetur nga institucionet e tjera përmes memorandumeve të bashkëpunimit.
“Vite më përpara, ne kemi pasur marrëveshje me Ministrinë e Kulturës ka pasur të nënshkruar një memorandum për bashkëpunim dhe mbështetje mes Fakultetit të Arteve dhe institucioneve të Ministrisë si: Qendra Kinematografike e Kosovës ( e cila na ka mbështetur për dy vite diplomat e studentëve tonë), Teatri Kombëtar, i cili vazhdimisht na mbështet me Kostume, hapësirë për ndonjë shfaqje specifike”.

Meqë këtij Memorandumi i ka kaluar afati, Haziri thotë se nga Teatri Kombëtar me U.D. Naser Shatrolli është iniciuar një takim për ta rishkruar marrëveshjen, ndërsa nga QKK nuk kanë asnjë informatë.
Në anën tjetër, Ministria e Kulturës, ka njoftuar se me buxhetin për vitin 2022 sërish nuk janë paraparë mjete për ndërtimin e një objekti të ri për Fakultetin e Arteve, por vetëm për restaurim.