Lajme

Banorët rezidentë të Prishtinës po përballen me mungesën e parkingjeve të rezervuara, kërkohet zgjidhje nga “Prishtina Parking”

Parkingu në lagjen Dardania në Prishtinë.

Banorët rezidentë të qytetit të Prishtinës janë duke u përballur me problemin e mungesës së parkingjeve të rezervuara për ta.

L.S., banor në lagjen “Dardania” tregon për Shqip.com se kjo telashe po i mundon tash e një kohë. Madje, siç thotë ai, mungesa e parkingjeve jo rrallë është përshkallëzuar deri te grindjet mes banorëve.

“Në zonën ku banoj tash e një kohë, një nga problemet që hasim çdo ditë, jo vetëm unë por të gjithë banorët, është pjesa e parkingjeve. Të shpeshta janë edhe rastet kur ka grindje mes banorëve për vendet në parking, ndoshta edhe për shkak të afërsisë me shkollën dhe bibliotekën, por që hapësira e parkingjeve në lagjen Dardania lë shumë për të dëshiruar e që nga institucionet kërkohet urgjentisht të merret ndonjë hap konkret”, thotë ai.

Parkingu në lagjen “Dardania” në Prishtinë.

Ndërmarrja Publike “Prishtina Parking” iu mundëson banorëve rezidentë që të paguajnë 60 euro në vit për rezervim të parkingut, po vendi, të cilin e paguajnë, nuk është i disponueshëm 24 orë për ta.

Banori nga “Dardania”, deklaron se kjo pagesë nuk do ishte “problem” pasi është çmimi i arsyeshëm. Por, pagesa bëhet kot, meqë prapë mbetesh pa parking.

“Ka banorë të cilët e paguajmë madje edhe në tavolinë kur diskutojmë shpesh na shqetëson fakti se edhe pasi kemi paguar vendin dhe hapësirën tonë për parkingje, ajo prapë është e zënë dhe nuk lëshohet për orë të tëra, çka shkakton telashe të mëdha në atë zonë pasi edhe është e ngushtë”, tha ai.

Se çmimi vjetor për rezervimin e parkingjeve gjatë tërë vitit nuk është problem e pohon edhe një banor në lagjen “Bregu i Diellit”. Por, fakti se edhe pas pagesë prapë mbetesh pa parking e bën gjithë procesin krejtësisht të padobishëm.

“Sa i përket Prishtina Parking, çmimi vjetor prej 60€ është i arsyeshëm vetëm nëse ata sigurojnë parkingun për ata të cilët paguajnë. Përndryshe, pagesa pa sigurimin apo rezervimin e parkingut nga ana e Prishtina Parkingut ndaj paguesit nuk ka logjikë sipas mendimit tim”, thotë T.P., për Shqip.com.

Sipas tij, çdo ditë përballen me mungesën e parkingjeve. Mungesa shkaktohet, meqë qytetarë nga vende të ndryshme parkojnë veturat afër banesave të tyre.

Ndërkaq, L.S., shprehet se zgjidhja për këtë problem do të ishte “nëse do të bëhej shenjëzimi i vendeve dhe hapësirave që paguhen nga ta”.

Në të kundërtën, ai thotë se duhet shqiptuar gjoba ndaj atyre që nuk e respektojnë këtë rregull.

Lidhur me këtë çështje, Shqip.com ka dërguar pyetje në “Prishtina Parking” se a janë duke shqyrtuar ndonjë ankesë të tillë, por që të njëjtit, nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndryshe, “Prishtina Parking” është ndërmarrje publike që synon digjitalizimin, menaxhimin dhe mirëmbajtjen e trafikut në Komunën e Prishtinës, duke ofruar shërbime të lehta të parkimit, pagesës si dhe kontrollit për përmbushje të nevojave të të gjithë qytetarëve.

Kjo Ndërmarrje ka hyrë në funksion në qershor të vitit 2020.

“Prishtina Parking” ka krijuar disa vend parkime në pjesë të ndryshme të qytetit të cilat janë të ndara në zona.

Në bazë të zonës, dallon edhe pagesa për parkim, ku Ndërmarrja i ka identifikuar zonat në tri kategori.

Kurse, mënyra e pagesës së vendit për parkim mundësohet që të kryhet në katër mënyra; përmes telefonit, Website/Online, “Parking Metrit” dhe përmes blerjes së biletave fizike.

Kryetari aktual i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, gjatë fushatës së tij parazgjedhore nuk ishte pajtuar me këtë formë të sistemimit të parkingjeve.

Ai kishte deklaruar se me ardhjen e tij në pushtet, do të bëhej ridefinimi i Qendrës në gjashtë pika të parkingjeve nëntokësore.

“Secili qytetarë do të jetë i pajisur me një tiketë përmes të cilës do të paguajë trafikun dhe do të ketë qasje në të gjitha këto 6 parkingje të cilat i kam cekur. Nuk do të ketë asnjë pikë në më larg se 500m apo 7 minuta ecje që të bëjmë Prishtinën më pak të populluar nga automobilat.

Do të jenë të rezervuara të gjitha parkingjet për rezidentët ndërsa për mysafirët do të jetë më e shtrenjtë pagesa brenda qytetit dhe kjo kosto do të ndikojë që vendi të jetë më i qetë nga popullimi i automobilëve. Do të ishte edhe më e mirë përdorimi i biçikletave apo trotineteve elektrikë sepse do të ndikonte në pakësim të këtij trafiku rrugorë”, kishte premtuar ai./SHQIP.com