Gjuriq: Kosova injoroi Blinken-in, bëri veprim të pafalshëm

Vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e Referendumit serb në Kosovë, ambasadori i Serbisë në Uashington, Marko Gjuriq, e ka quajtur “të pafalshëm”.
“Përveç se zhgënjyes ishte edhe vendim i pafalshëm”, ka thënë Gjuriq, ish-drejtor i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, raportojnë mediat serbe.
“Në një sulm të paprecent të demokracisë, Kosova ka vendosur të injorojë kërkesën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken brenda më pak se një jave”, deklaroi Gjuriq, duke e lexuar letrën që sekretari amerikan i shtetit ia dërgoi kryeministrit, Albin Kurti, si kërkesë e tij për lejim të referendumit.

Serbia ka mbajtur Referendum për ndryshime kushtetuese atje, por qëllim kishte vendvotime të organizonte edhe në Kosovë.
Qeveria, presidenca dhe kryeparlamentari dolën kundër, paçka se ambasadorët e shteteve më të fuqishme perëndimore, kërkuan nga Kosova ta lejojë referendumin.
Nën argumentin se shkelet sovraniteti i shtetit nëse lejohet, krerët shtetërorë të Kosovës refuzuan këshillën e ndërkombëtarëve.
Për më tepër, u mbajt një seancë parlamentare ku u nxor edhe një rezolutë që ndalonte këtë referendum dhe autorizonte qeverinë që të marrë të gjitha masat për ta parandaluar.
Pro vendimit të qeverisë për moslejimin e referendumit kanë qenë edhe të gjitha partitë opozitare në Kosovë./Shqip.com