Lajme

Aeroporti “Adem Jashari” vitin e kaluar pati 97% më shumë udhëtarë sesa në 2020-ën

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, "Adem Jashari"
Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, "Adem Jashari"

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka njoftuar se në vitin 2021 ka shërbyer gjithsej 2 milion e 180 mijë e 809 udhëtarë apo 97% më shumë se në vitin paraprak.

Sipas statistikave që ka mbledhur operatori LKIA, në vitin 2020 aeroporti kishte shërbyer 1 milion e 104 mijë e 435 udhëtarë.

“Kjo për shkak të përmirësimit të trafikut ajror në krahasim me vitin e kaluar ku pandemia kishte shkaktuar krizën më të madhe në historinë e aviacionit”, thuhet në njoftimin për media.

Muaji gusht bëhet e ditur se ka pasur numrin më të lartë me gjithsej 383 mijë e 776 udhëtarë, që pasohet nga muaji korrik me 340 mijë e 446 udhëtarë, ndërsa trafiku më i ulët ka qenë gjatë muajit prill me 79 mijë e 278 udhëtarë, pasuar nga muaji shkurt me 96 mijë e 442 udhëtarë.

“Gjatë vitit 2021 janë realizuar 8 mijë e 921 nisje fluturimesh, apo 92% më shumë se vitin e kaluar. U dalluan me më së shumti fluturime muajt gusht dhe korrik, me 1 mijë e 517 dhe 1 mijë e 367 nisje fluturimesh. Në anën tjetër, muaji prill kishte më së paku nisje fluturimesh, 370”, thuhet më tej në njoftim.

“Prej destinacioneve, me më së shumti udhëtarë dallohen Bazeli (BSL/MLH), Cyrihu dhe Dyseldorfi. Prej shteteve, sa i përket trafikut të përgjithshëm nga Prishtina, Zvicra është e para e pasuar nga Gjermania, Turqia, Austria, Suedia e kështu me radhë”.

Ndërsa, prej kompanive ajrore, prin EasyJet me numrin më të madh të udhëtarëve të shërbyer nga Prishtina, e pasuar nga Eurowings, Wizzair, GP Aviation, Trade Air, Pegasus Airlines, e kështu me radhë.

“Sa i përket destinacioneve të mëtejme prej Prishtinës, prin Nju Jorku (JFK), pasuar nga Nju Xhersi (Newark Internationa)l, Çikago (O’Hare), Frankfurti, Washingtoni dhe Antalia”.

“Grafet me statistikat e plota të trafikut ajror gjatë vitit 2021 do të publikohen në faqen zyrtare të AAC-së në internet”, përfundon njoftimi./SHQIP.com