Lajme

Institucionet i lënë në mëshirë të fatit banorët e disa fshatrave të Mitrovicës, rrezikojnë të bllokohen nga bora

Rruga për në fshatin Kaçandoll

Banorët e fshatit Bajgorë, Kaçandoll e Kovaçicë të Mitrovicës së Jugut rrezikohen të bllokohen nga bora.

Imer Xhafa, banor i fshatit Bare, në një rrëfim për Shqip.com, thotë se me rritjen e intensitetit të borës pritet të vështirësohet qarkullimi në këto fshatra.

“Në lagjet e Bajgorës, Kaçandollit dhe Kovaçicës atje bie më shumë borë dhe trashësia e borës është shumë më e madhe sesa në fshatrat tjerë për shembull në Bare, Reçan etj. Janë fshatra më të thella, frynë erë më e madhe që i bllokon rrugët”, ka thënë Xhafa për Shqip.com.

Duke pasur parasysh se këto fshatra janë në zonë malore, Xhaferi thotë se trashësia e borës është 60 për qind më e lartë se sa në qytet.

Rruga për në fshatin Kaçandoll

Ai shpreh shqetësim edhe për disa lagje të tjera për të cilat thotë se qarkullimi është i vështirë.

“Lagjja Xhaferi aty është vështirë për qarkullim edhe lagja Osmani, është rrugë e papërshtatshme dhe qarkullimi është më i vështirë”, përfundon Xhafa.

Këto fshatra janë pjesë e rrugës regjionale Mitrovicë-Bajgorë të cilat kanë mbetur pa kompani mirëmbajtëse të rrugëve.

Përveç kësaj, edhe rrugët Mitrovicë-Prishtinë dhe Mitrovicë-Suharekë kanë mbetur në mëshirën e fatit.

Malë Lokaj, nga departamenti i menaxhimit të rrugëve në Ministrinë e Infrastrukturës, për Gazetën Online Shqip.com, tha se kanë gjetur një zgjidhje të përkohshme për këtë regjion.

Rruga për në fshatin Kaçandoll

“Në këtë rast jemi organizuar me regjionet fqinje, ta zëmë njërën anë Peja dhe rajonet tjera që i përfshinë Prishtina 1 dhe Prishtina 2 kah Podujeva jemi kombinuar për të gjetur operatorin ekonomik të veriut që ta mbulojë edhe këtë pjesë përkohësisht deri të bëhet përzgjedhja e përhershme”, ka theksuar Lokaj.

Në anën tjetër, komuna e Mitrovicës Jugore nuk është interesuar për të parë nëse rrugët e këtij regjioni janë të kalueshme.

Drejtori i Shërbimeve Publike dhe Infrastrukturës, Granit Tmava, në një bisedë me Shqip.com, ka thënë se ky regjion është nën administrimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe se nuk mund të bëjnë diçka më shumë në këtë drejtim.

“Rrugët e regjionit për të cilën ju po flisni janë nën menaxhimin e MI-së, andaj nuk kemi asgjë në dorë për këtë çështje. Krejt çfarë mund të të them është se rrugët janë të kalueshme”.

Teksa është pyetur se kush i ka pastruar rrugët e këtij regjioni, pasi nuk ka kompani mirëmbajtëse, Tmava, nuk ka pasur përgjigje.

Procedurat për këtë çështje kanë ngecur tek Organi Shqyrtues i Prokurimit që nga data 1 dhjetor 2021.

Ndërsa ka më shumë se nëntë muaj që Organi Shqyrtues i Prokurimit ka mbetur pa bord.

Atij të vjetrit i skadoi kontrata e për bordin e ri konkursi që është shpallur gjatë muajit maj është rishpallur meqë emrat e zgjedhur për këtë bord nuk morën besimin e deputetëve.

Nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, kanë bërë të ditur se gjatë tërë javës moti do të jetë me temperatuara të ulëta dhe me ngrica e reshje bore.

“Temperaturat minimale për gjatë këtyre ditëve të parashikimit do të lëvizin ndërmjet -8 deri -2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet -1 deri 3 gradë Celsius. Në viset malore përveç reshjeve të dendura të borës parashihen temperatura më të ulëta për 3-5 gradë Celsius, varësisht nga lartësia mbidetare”, thuhet në njoftimin e IHMK-së./Shqip.com