Zv.ministri i Jashtëm për votimin e serbëve në referendum: Serbia po synon legjitimimin e destabilizimit të veriut

Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, tha se Serbia po synon të legjitimoj destabilizimin e Veriut të Kosovës, përcjell Shqip.com.
Këto deklarata ai i bëri pas kërkesës së Shteteve të QUINT-it ndaj Qeverisë së Kosovës që të lejojë votimin e serbëve të Kosovës në referendumin e Serbisë.
Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti tha se me moslejimin në Kosovë të serbëve nuk janë duke shkelur të drejtat e njeriut, duke shtuar se janë dy mundësi për të votuar në këtë referendum.
“E drejta e votimit nuk po i mohohet asnjë qytetari të Serbisë në Republikën e Kosovës. Por, kjo e drejtë nuk mund të manifestohet duke shkelur sovranitetin e vendin.
Përderisa janë dy mundësi të lehta votimi për këta qytetarë, nëpërmjet postës dhe nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Republikën e Kosovës, çfarëdo kërkese shtesë nga Serbia është vetëm preteks për destabilizim eventual të vendit e rajonit”, shkroi ndër tjerash ai.
Sipas tij, kërkesat e paarsyeshme të Serbisë nuk mund që të legjitimohen nga praktikat e kaluara.
“Njohja e së drejtës së dikujt, nuk duhet të bëhet në kurriz të së drejtës së tjetrit. Prandaj, këto kërkesa të paarsyeshme të Serbisë nuk mund të legjitimohen nga praktikat e kaluara të cilat kanë shkelur sovranitetin e vendit.
Serbia nëpërmjet këtyre kërkesave ka si synim vetëm legjitimin e destabilizimit eventual të veriut të Republikës së Kosovës dhe të rajonit”, shkroi ai.
Ndryshe, të premten Shtetet e QUINT-it i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje për referendumin e 16 janarit në Serbi, përcjell Shqip.com.
Përmes një komunikate, thuhet se ato mirëpresin referendumin kombëtar të Serbisë për ndryshimet kushtetuese duke vlerësuar si hap kyç për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit.
“Vërejmë me keqardhje se qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të mbledhë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e ardhshëm, në përputhje me praktikën e kaluar.
Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, thuhet ndër tjerash në komunikatë.
Ndërkaq, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell ka dalur haptazi pro votimit të serbëve të Kosovës në referendumin e Serbisë, përcjell Shqip.com.
Përmes një postimi në Twitter, Borrell tregoi se ka pasur një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Mbrëmjen e së mërkurës, Kurti tha se në bisedën e zhvilluar me Borrellin, e ka kundërshtuar këtë, duke theksuar se një praktikë e tillë nuk zbatohet në asnjë vend demokratik.
“Në telefon me Borrellin, ripërsërita qëndrimin tonë se serbët e Kosovës me dyshtetësi mund të votojnë në referendum me postë apo në zyrën ndërlidhëse në Prishtinë. “Mbajtja e referendumit të një shteti tjetër në territorin e një shteti sovran nuk është praktikë e pranueshme nga ndonjë vend demokratik”, kishte shkruar Kurti./SHQIP.com