Lajme

Blinken letër Kurtit- ia përmend dialogun, rrymën në veri dhe personat e pagjetur

Flamuri amerikan dhe ai i Kosovës.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony J. Blinken, i ka dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, një letër përmes së cilës tregon se Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë ta mbështesin dialogun Kosovë-Serbi.

Në këtë letër, Blinken ka përsëritur qëndrimin e SHBA-së që dialogu Kosovë-Serbi duhet të ketë në qendër njohjen reciproke, përcjell Shqip.com.

“Si mik dhe partner i Kosovës, Shtetet e Bashkuara presin të bashkëpunojnë me ju për ta zbatuar plotësisht agjendën e Presidentit Biden të përcaktuar për marrëdhënien tonë, përfshirë fuqizimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurimin e marrëveshjes së vonuar prej kohësh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me fokus në njohjen e ndërsjellë”, citohet të ketë shkruar në letër Sekretari Blinken.

Në letër, sekretari amerikan ka përmendur edhe ndërmjetësimin në dialog përmes Bashkimit Evropian i cili sipas SHBA-ve “mbetet forumi më i mirë për normalizimin e negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe ne koordinohemi nga afër me partnerët tanë në BE për këtë qëllim”, ka shkruar Blinken.

Në letrën drejtuar kryeministrit Kurti, Blinken ka përmendur edhe çështjen e energjisë elektrike në veriun e Kosovës dhe ka kërkuar të punohet “për avancimin e qëllimeve të përbashkëta në lidhje me personat e pagjetur. Është në interes të Kosovës që këto çështje të zgjidhen dhe të çojnë drejt një zgjidhjeje kompromisi në planin afatshkurtër, e që të mund të shërbejnë si bazë për progresin e mëtejshëm drejt normalizimit gjithëpërfshirës”, ka shkruar Blinken në letrën drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti./Shqip.com

Letra nga Sekretari i shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anthony J.Blinken.