Lajme

Sveçla: Jemi në fazën e fundit të njohjes së patent shoferëve të Kosovës në Gjermani

Sveçla në takim me ministrin e Brendshëm të Bavarisë, Joachim Herrmann

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se janë në fazën e fundit të njohjes së patent shoferëve të Kosovës në Gjermani, përcjell Shqip.com.

Kështu ka bërë të ditur ai pas takimit që kishte në Ministrinë e Brendshme të Bavarisë në Gjermani, ku është pritur nga Joachim Herrman.

Sveçla në takim me ministrin e Brendshëm të Bavarisë, Joachim Herrmann

“Duke pasur parasysh që një numër jashtëzakonisht i madh i qytetarëve tanë jetojnë në zonën e Bavarisë dhe në gjithë Republikën e Gjermanisë, biseduam për politika konkrete që lehtësojnë jetën dhe angazhimet e tyre atje. Ne tanimë jemi në fazën finale të njohjes së patentshoferëve të Republikës së Kosovës nga Gjermania dhe këta janë hapat tanë konkret në këtë drejtim”, shkroi ai në Facebook.

Po ashtu, Sveçla tha se gjatë takimit kanë biseduar edhe për prioritetet e përbashkëta në luftën ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, forcimin e shtetit ligjor por edhe zhvillimin socio-ekonomik.

”Liberalizimi i vizave për qytetarët tanë, anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe në Interpol janë synimet tona për të cilat e njoftova që jemi duke u angazhuar intensivisht për ti realizuar dhe që natyrisht kemi nevojë edhe për angazhimin dhe ndihmën e tyre”, shkroi ndër tjerash ai./SHQIP.com