Paraburgim për të dyshuarin që sulmoi me thikë policin në Suharekë
Gjykata Themelore në Prizren – Dega në Suharekë – i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të dyshuarit për therjen me thikë të zyrtarit policor.
Siç bëhet e ditur në njoftim, i pandehuri B.K. dyshohet se ka kryer veprat penale dhuna në familje dhe sulm ndaj personit zyrtar.
Rasti kishte ndodhur me datën 10 janar në orët e mëngjesit, në Suharekë, saktësisht në shtëpinë e të dyshuarit.
Sipas njoftimit, i dyshuari me dashje kishte kryer “dhunën ose keqtrajtimin fizik dhe psikologjik apo emocional, me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër brenda një marrëdhënie familjare, ndaj të dëmtuarës respektivisht bashkëshortes së vëllait të tij, pas disa mosmarrëveshjeve paraprake pasi që më parë i pandehuri e kishte keqtrajtuar fizikisht të dëmtuarën duke e goditur me grushte, ndërsa në momentin kur e dëmtuara ka qenë në shtëpi i pandehuri i drejtohet të dëmtuarës me fjalë si dhe e largon nga shtëpia, me të cilat veprime tek e dëmtuara ka shkaktuar ndjenjën e frikës dhe shqetësimit të madh”.
Me datë të njëjtë, B.K., kishte sulmuar edhe zyrtarin policor M.G., i cili kishte shkuar në kryerjen e detyrave zyrtare.
“Kur zyrtarët policor kanë shkuar në vend ngjarje për t’u marrë me rastin, takohen me të pandehurin, i pandehuri B.K., nuk ka qenë bashkëpunues me zyrtarët policor, në një moment i pandehuri nga xhepi i ka nxjerrë një mjetë të rrezikshëm – thikë dhe me të njëjtën e sulmon fizikisht të dëmtuarin zyrtarin policor M.G., të cilit i shkakton edhe lëndime trupore në pjesën e kokës”, thuhet në vendim./SHQIP.com