Sport Shqiptar

Armando Broja – më shumë gola se Werner, Rashford dhe Sancho së bashku

Armando Broja

Është vetëm 20 vjeçar, por para portës e ka ftohtësinë e një qendërsulmuesi klasik – me përvojë të gjatë.

Ai nuk po i lë vend rastësisë, golat i janë bërë rutinë e bukur.

Armando Broja e regjistroi edhe një natë magjike me Southamptonin, duke tundur rrjetën kundër Brentfordit, në fitoren 4-1.

Sulmuesi shqiptar tashmë është autor i pesë golave në elitën e futbollit anglez.

Për ironi, Sancho, Werner dhe Rashford kanë vetëm katër gola – së bashku, edhe një dëshmi se çfarë momenti të artë po kalon në karrierë ky djalosh.

Image
Armando Broja – gjatë ndeshjes së sontme

Armando është në pronësi të Chelseat, por do të qëndrojë në huazim te Southamptoni deri në fund të sezonit.

Sipas shumë mediave në Angli, Thomas Tuchel po e konsideron që ta rikthejë nga huazimi në kampionatin e ardhshëm.

Ky është viti i dytë radhazi që ai po e kalon në huazim, pasi sezonën e kaluar ishte pjesë e Vitesses.

Te klubi holandez, Armando, kishte zhvilluar 30 ndeshje, ndërsa regjistroi dhjetë gola.

Armando Broja – foto nga një ndeshje kampionale

Për një kohë të shkurtë Broja është bërë pjesë e rëndësishme edhe e kombëtares shqiptare, ku së bashku me Myrto Uzunin po konsiderohen si e ardhmja e kuqezinjëve.

Së fundmi, atij i është rritur edhe vlera në “tregun” e transferimeve.

Nga tre milionë sa vlente paraprakisht, tashmë sipas “Transfermarket” ai vlen nëntë milionë. /Shqip.com