Piktura në Kosovë ëndërr dhe pasion, por jo profesion
Jo rrallë herë pikturimi shihet si profesion sekondar për shumë piktorë kosovar. Si e tillë kërkon shumë përkushtim por paguhet pak.
Pikturimi përmbush shpirtin, por shitja e pikturave s’e mbush dot kuletën.
Shumë shpesh, artistët në Kosovë, bëjnë kompromisin e dhimbshëm – art bëjnë për qejfin e tyre, ndërsa gjejnë një punë të dytë, për nevojat.
Piktori, Besnik Krasniqi është veç një nga shembujt se si për ta ndjekur ëndrrën iu nënshtrua nevojës.
35 vjeçari në një prononcim për SHQIP.com thotë se në të kaluarën ka punuar si mirëmbajtës i fushës së futbollit në Obiliq, vetëm që të kishte mundësi financiare që të vazhdonte rrugën e artit.
Madje ai thotë se tashmë detyrohet që në fillim që të kërkojë gjysmë e pagesë nga personat që bëjnë porosi që të ketë mundësi që të blejë materialet për pikturë.
“ Është kompromis i dhimbshëm, pasi jam i papunë. Materialin e sigurojë pasi e marrë një pjesë të pagesës nga personi që bënë porosinë. E gjithë kjo është më marrëveshje me personin paraprakisht”, ka treguar ai.

Piktura kërkon shumë përkushtim, por në Kosovë ka pak çmim
Pikturimi kërkon punë javore e herë-herë edhe me muaj, por në fund interesimi është i vogël e si rrjedhojë edhe çmimi.
Krasniqi i cili nuk ka ndonjë atele, por pikturon në kushte shtëpie tregon se që nga fillimi i pandemisë ka shitur vetëm tri piktura.
“ Interesimi për piktura është shumë i varfër, por përkushtimi im është shumë i madhe pasi aty e gjej veten, duke gërshetuar emocionet dhe humorin tim në artë. Që nga fillimi i pandemisë kam shitur vetëm tri piktura”.
Ai më tej, ka treguar se çmimi i pikturave ndryshon varësisht nga madhësia e pikturës dhe fillon nga 150- 700 euro, çmimi i fundit është vlera më e lartë që ai ka shitur.

Krasniqi ka thënë se ka dëshirë shumë të madhe që të vazhdojë pikturën, por sipas tij kjo gjë është e pamundur në vendin ku po jetojmë.
“Unë do të doja që të punoja vetëm më pikturë por, kjo gjë është e pamundur. Jam duke pritur vizën e Kanadasë që të vazhdojë jetën atje”, ka theksuar ai gjatë kohës që po tregonte vështirësitë që ai po kalon në këtë profesion.
Piktorët e rinj shpresojë që shoqëria të ndryshoj qëndrimin karshi pikturës
Por, pavarësisht këtyre vështirësive, shpresë për këtë profesion vazhdojnë të mbajnë studentët e Fakultetit të Arteve.
E tillë është edhe studentja, Bleona Metaj nga Istogu, e cila ka thënë se nuk do të lejojë që ëndrra e saj të ikën nga duart, pavarësisht që është ‘lodhur’ me këtë situatë.

Ajo për redaksinë tregon që mungesa e kërkesave është e njëjtë me të Besnikut, e fajin për këtë Metaj ia lë pagave të ulëta dhe kostos se papërballueshme për qytetarët.
Metaj ka thëne se këto kërkesa janë ulur edhe më shumë pas situatës pandemike me COVID-19.
“Para pandemisë kam shitur piktura në vlerë nga 50 euro deri në 300 euro, ndërsa gjatë pandemisë nuk jam marrë me shitje të pikturave pasi ka ra. Kërkesat janë më të vogla dhe unë ia kam dedikuar kohën më shumë studimeve”, ka deklaruar ajo.

Po, pavarësisht gjithë këtyre vështirësive, ajo ka treguar se financohet nga prindërit dhe se në planet e saj të afërta është që të hap biznesin e saj personal në mënyrë që të ketë mundësi që t’i ndihmoj të rinjve.
“ Plani im për të ardhmen është të hapë një biznes timin privat, pra të menaxhojë një kurs për pikturë dhe dizajn grafik për të rinjtë pas nesh dhe urojë që kjo ëndërr të më bëhet realitet”. /SHQIP.com