Lajme

Meta për protestën para selisë së PD-së: E drejtë kushtetuese por të shmanget dhuna

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta tha se protesta që po mbahet nga Sali Berisha dhe mbështetësit e tij është e drejtë kushtetuese, por që bëri thirrje për ruajtje të qetësisë, përcjell Shqip.com.

Përmes një postimi në Facebook, Meta bëri thirrje për shmangie të dhunës në protestën që po mbahet para selisë së Partisë Demokratike.

Lexo edhe:
Policia ndërhyn në protestën që po mbahet në Tiranë

“Duke ndjekur me shumë vëmendje dhe shqetësim zhvillimet në selinë e Partisë Demokratike, theksoj rëndësinë e protestës paqësore, si një e drejtë fondamentale në demokraci, plotësisht legjitime dhe kushtetuese, që duhet respektuar nga të gjithë!

Bëj thirrje për ruajtjen e qetësisë, shmangien e akteve të dhunës, provokimeve dhe tensioneve të panevojshme. Është tepër e domosdoshme gjetja e një zgjidhjeje të menjëhershme demokratike, që i shërben paqes sociale dhe demokracisë në vend”, shkroi ai.

Ndërkaq, Policia ka ndërhyrë në protestën e thirrur nga ish-kryeministri, Sali Berisha, që po mbahet të shtunën para selisë së Partisë Demokratike në Tiranë.

Përmes njoftimit, Policia ka bërë të ditur se kjo është bërë me kërkesë të një grupi deputetësh të PD-së.

“Në bazë të një kërkese të bërë Policisë së Shtetit, nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike, të cilët kanë kërkuar ndihmën e Policisë, pasi i rrezikohej jeta nga protestuesit, sqarojmë se:

Policia e Shtetit është gati për të ndërhyrë në ndihmë të deputetëve që kanë kërkuar ndihmë dhe u bën thirrje protestuesve që të distancohen menjëherë nga aktet e shkatërrimit të pronës dhe aktet e dhunës”, thuhet në njoftimin e Policisë.