Lajme

Hyseni: Ndryshimin në Gjilan mund ta bëjmë edhe me PDK-në

Alban Hyseni

Kryetari i Gjilanit nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Hyseni, ka deklaruar se ndryshimi në këtë qytet mund të vij edhe me Partinë Demokratike të Kosovës, përcjell Shqip.com.

Kështu ka deklaruar Hyseni pas nënshkrimit të koalicionit qeverisës me PDK-në në komunën e Gjilanit.

Sipas tij, meqë LVV-ja i ka vetëm 10 asamblistë, u është imponuar që të bëjnë koalicion për të pasur shumicën në Asamble.

“Ne kemi vetëm 10 asamblistë. Kjo na ka imponuar që ose të shkojmë vetë, ose të bëjmë koalicion. Për dy mandate kemi pasur kryetar të LDK-së dhe automatikisht nuk do të kishte logjikë të kishim koalicion me ta. Qytetarët kanë votuar për ndryshim dhe ai nuk do të ishte ndryshim. Nuk po dua me amnistu PDK-në nga gabimet që i ka bërë të kaluarën, por ndryshimin edhe me PDK-në mund të bëjmë.

Duke qenë se janë [PDK] qe dy mandate në opozitë, duhet të punojnë për ta kthyer partinë pasi është në gjendje shumë të keqe në Gjilan. Ne kemi marrëveshje edhe me partinë turke KTDP, që ka nënkryetarin e dytë në Asamble, AKR-në e cila do të udhëheqë me Zyrën për Luginën e Preshevës, ndërsa jemi munduar të bëjmë marrëveshje me AAK-në, por ata kanë probleme të brendshme atje”, tha ai në KTV.

Tutje, Hyseni pohoi se PDK-ja do të udhëheqë Drejtorinë e Financave, të Shëndetësisë, Bujqësisë dhe të Zhvillimit Ekonomik./SHQIP.com