Lajme

Rasti “Brezovica”, caktohet masa e paraburgimit ndaj tre zyrtarëve të MMPHI-së

Arrestohet Bedri Halimi, kryeinspektori i MMPHI-së

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të kësaj komune për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj Bedri Halimit, kryeinspektor në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Arben Çitakut, sekretar i përgjithshëm i MMPHI-së dhe Ismet Asllanit, përgjegjës i ndërmarrjes “Kashtanjeva Dekor”, raporton Shqip.com.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi se Bedri Halimi në cilësinë e kryeinspektorit të Inspektoratit në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Prishitnë, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe persona tjerë, me këtë do të kryente veprën penale ““Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar” nga neni 422 par.1 të KPRK-së.

I pandehuri A.Ç., si person zyrtar-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Prishtinë, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe persona tjerë, me këtë do të kryente veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar” nga neni 422 par.1 të KPRK-së.

I njëjti sipas Prokurorisë ka pranuar para me qëllim që të veproj në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare, me këtë do të kryente veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 428 par.2 lidhur me nen 31 të KPRK-ës .

Ndërsa, për të pandehurin tjetër I.A., ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti, i ka dhënë para personit zyrtar që të veproj në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, me këtë do të kryente veprën penale penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 429 par.3 të KPRK-ës dhe veprë​n penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 par.1 të KPRK-ës./Shqip.com