Lajme

48 orë ndalesë për Bedri Halimin, kryeinspektorin e Ministrisë së Mjedisit

Arrestohet Bedri Halimi, kryeinspektori i MMPHI-së

Është caktuar masa prej 48 orësh ndalim për Bedri Halimin, kryeinspektor në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, i cili u arrestua të enjten gjatë operacionit të koduar “Brezovica”.

Halimi, siç kupton Shqip.com, akuzohet për veprën penale të “keqpërdorimit të detyrës dhe autoritetit zyrtar”.

Sipas burimeve të mediumit, bëhet fjalë për një vendimi që ishte shfuqizuar në kohën kur Dardan Gashi ishte në krye të MMPHI-së dhe që kishte të bënte me kompetencat e mbikëqyrjes direkte të zonës së Brezovicës.

Vendimi për të cilin bëhet fjalë, nuk figuron në faqen zyrtare të MMPHI-së.

Policia e Kosovës gjatë aksionit tek Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Prishtinë

Aksioni i zhvilluar më 6 janar, me urdhër të Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës- është vazhdim i aksionit të filluar më datë 21 dhjetor 2021 për rastin “Brezovica”.

Operacioni që u shtri në zyret e kësaj ministrie është zhvilluar në tri qytete të Kosovës- Prishtinë, Ferizaj e Shtërpcë.

Gjatë operacionit janë bastisur 10 lokacione në qytete të ndryshme./Shqip.com