Lajme

369 pacientë po trajtohen për Sklerozë Multiple në spitalet e Kosovës

Foto: SHSKUK

369 pacientë janë duke u trajtuar aktualisht për Sklerozë Multiple në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës.

Siç bëhet e ditur në njoftim, gjatë vitit 2021, kanë qenë 39 raste të reja që janë diagnostikuar për herë të parë me këtë sëmundje dhe që kanë nisur trajtimin.

“Njësia e Sklerozës Multiple në Klinikën e Neurologjisë ka ofruar për gjatë vitit 2021 shërbime ambulantore dhe spitalore për diagnostikimin dhe trajtimin e rasteve të reja me këtë sëmundje”, thuhet në komunikatën për media të SHSKUK-së.

“Si dhe nga ana tjetër punën e saj intensive në identifikimin dhe rekrutimin e të gjithë pacientëve në Kosovë të diagnostikuar në vitet paraprake, por të cilët në mungesë të terapisë, nuk kanë qenë në gjendje të trajtoheshin në mënyrë adekuate me terapinë specifike”.

Por, tani bëhet e ditur se terapia është siguruar nga Ministria e Shëndetësisë.

Skleroza Multiple është sëmundje e sistemit nervor, e cila paraqitet me ankesa dhe dhimbje të ndryshme, të cilat vijnë kohë pas kohe.

Ankesat tipike të kësaj sëmundje janë: ligështimi (dobësimi) në duar apo këmbë; ndjenja e të qenit të pirë (shtangur) dridhjet, artikulimi i paqartë dhe pengesa në shikim./SHQIP.com