Alvin Karaqi – të mos dorëzohesh kurrë

Rrugëtimi ka qenë shumë i gjatë, vështirësitë nuk i kanë munguar, por dorëzimin nuk e ka parë asnjëherë si opsion.
Karateja për të – përfaqëson burimin e disiplinës dhe përqëndrimit jetësor.
Historia e karateistit nga Prishtina, Alvin Karaqi që ka qenë nënkampion i Evropës (2019), i pesti në lojerat evropiane (2015), i pesti në lojërat evropine (2019) i treti në Ballkan (2018), i treti në botë (2020) dhe kampion i Francës në vitin (2021) është një përzierje e punës, suksesit, rënies nga lëndimet dhe ringritjes.
Për Shqip.com, ai ka rrëfyer fillimin e rrugëtimit të tij.
“Me karate kam filluar në fund të vitit 2000. Inspirim profesional i kam dy persona: Fehmi Mahalla, kampion Evrope per Zvicren si dhe Rafael Aghayev, kampion i shumëfisht botëror nga Azerbejxhani”, u shpreh fillimisht Karaqi.

Megjithëkëtë, rrugës pengesat nuk munguan.
Në gushtin e vitit 2017 ai pësoi një nga lëndimet më të mëdha, atë në gju, duke e lënë jashtë garës për disa muaj.
“Deri tash lëndimet e mija te mëdha, si ai i gjurit qe me la jashtë 6 muaj dhe thyerja e nofullës që më la jashtë tatamit diku 3 muaj, kanë qenë lëndime që kanë ndodhë në periudha të caktuara, ku fjala pensionim s’ka ekzistuar në fjalorin tim.
Forcën për tu kthyer e kam gjetur tek ëndrrat e mija, qëllimet e mija, sukseset. Por, më së shumti e kam gjetur përmes përkrahjes dhe dashurisë së familjes, shoqërisë dhe të dashurës në kohën e rehabilitimit, shtoi Alvini.

Ani pse Karaqi pohon se epiteti i një kampioni vihet me medaljen e arit në qafë, ai po ashtu shton se “një njeri i madh për mua është ai që për ëndrra dhe qëllime të tij pozitive, nuk dorëzohet kurrë. Nganjëherë më e bukur është rruga deri ne finish, se sa vet finishi”.
Në këtë rrugëtim të tij, ai përmend se “ndonëse përkrahja nga institucionet përkatëse në disa periudha nuk ka munguar, prezenca e saj prinë krahas pranisë së përkrahjes”.

Për fund, Alvini dha një mesazh për të gjithë të rinjtë që dëshirojnë të merren me karate.
“Punë, punë, punë! Mësoni nga përvojat e tjerëve, mësoni nga gabimet tuaja dhe analizoni kampionat e mëdhenj të kohës. Shijojeni çdo moment, pranoni kritika dhe jeni kritik i vetvetes. Por, punoni”.
Përveç karates, suksesi nuk i ka munguar as në sferat tjera të jetës. Ai është Mjek i Përgjithshëm, specializant i Kirurgjisë Traumatologjike. /Shqip.com