Lajme

Shtatë të arrestuar nga operacioni “Brezovica” – dy prej tyre zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit

Policia e Kosovës gjatë aksionit tek Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Prishtinë

Shtatë persona janë arrestuar, dy prej të cilëve janë zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës – në operacionin e koduar “Brezovica” që u zhvillua mëngjesin e së enjtes.

Zyrtarët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare – marrje ryshfeti, ndërsa pesë qytetarët dyshohen për dhënie të ryshfetit.

Operacioni që u shtri në zyret e kësaj ministrie, u zhvillua në tri qytete të Kosovës, Prishtinë, Ferizaj e Shtërpcë.

Gjatë operacionit janë bastisur 10 lokacione në qytete të ndryshme.

Ky aksion – i cili u zhvillua me urdhër  të Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – është vazhdim i atij të filluar me datë 21 dhjetor 2021 për rastin “Brezovica”.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj do t’iu mbaj të informuar me kohë për të gjitha zhvillimet e tjera rreth këtij aksioni”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Policia e Kosovës gjatë aksionit tek Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Prishtinë

Aksioni i koduar “Brezovica” është zhvilluar edhe më 21 dhjetor të vitit të kaluar në 12 lokacione në rajonin e Ferizajt, Prishtinës dhe Shtërpcës.

Sipas autoriteteve, tetë nga 10 të arrestuarit janë nga rajoni i Ferizajt dhe dy nga i Prishtinës.

Në mesin e të arrestuarve është edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq. Ky i fundit dyshohet se ka fituar dhurata në vlerë milionëshe për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës.

“Dyshohet se janë disa vila, që janë përfituar si dhurata, vetura të dhëna si dhurata për lëshimin e lejeve (për ndërtimin e shtëpizave të vikendit në parkun Sharri)”, tha prokurori i rastit, Rasim Maloku në një konferencë për media të organizuar pas aksionit./SHQIP.com