Sali Berisha thërret protestë kombëtare më 8 janar

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka thirrur një protestë kombëtare më 8 janar 2022, përcjell Shqip.com.
Përmes njoftimit të publikuar nga ai, thuhet se selia e demokratëve nuk është “bunker i pengut”, kështu duke iu referuar kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Para disa javësh ai kishte deklaruar se më 8 janar do të jetë një protestë e fuqishme kombëtare ku 44 mijë anëtarë të PD-së që firmosën të bëjnë historinë do të marrin në dorëzim ndërtesën e Partisë Demokratike.
“Vendimi s’ka apelim. Do vijnë në Tiranë te selia për të shpëtuar pluralizmin. Vetëm Edi Rama e mban”, tha Berisha, raporton Top Channel.
Kurse, më 5 janar të këtij viti Berisha dhe komisioni i rithemelimit të PD-së e kanë lënë afatin e fundit ndaj kryedemokratit, Lulzim Basha, të dorëzojë detyrën duke paralajmëruar se në të kundërtën do të sillen si “përmbarues”.
Ndërkaq, pas publikimit të datës së protestës nga Berisha ka reaguar menjëherë PD duke thënë se kasafortizimi dhe bunkerizimi nuk janë metoda të kësaj partie, por të “celulave ilegale që të vetmin merak kanë karriget dhe zyrat e tyre”.
“Punimet dhe mirëmbajtja në seli këtë fillimviti bëhen në funksion të riorganizimit dhe rifreskimit të strukturave qendrore të partisë. Selia qendrore e Partisë Demokratike ka qenë dhe do të jetë gjithmonë e hapur për demokratët e sakrificave dhe kontributeve, por e mbyllur për ata që e kanë mbajtur peng Partinë Demokratike gjatë gjithë këtyre viteve me shpresën se mund ta përdorin për t’u fshehur, mbrojtur apo rregulluar punët e tyre të pista”, thuhet në njoftimin për mediat./SHQIP.com