Onixi zyrtarizon gjashtë transfere – e synon Superligën

Superliga është synimi i tyre.
Për të arritur këtë qëllim duket që do shpenzojnë shumë para nga kuleta.
KF Onix ka bërë një nga goditjet më të mëdha deri më tani në futbollin vendor – në merkaton e janarit.
Kjo skuadër ka prezantuar gjashtë transfere – për të arritur qëllimet e tyre.
Dardan Rugova, Rron Rugova, Adnan Haxhaj, Ardit Vokshi, Zeki Ademi dhe Musa Kambi – janë futbollistët më të rinjë të kësaj skuadre.
Katër emrat e parë kanë qenë së fundmi pjesë e Vëllaznimit, Ademi vie nga Trepça 89, kurse Kambi në të kaluarën ka luajtur në Gjermani.
Pas 14-të ndeshjeve të zhvilluara, Onix gjendet në vendin e katërt në tabelë, me 21 pikë të grumbulluara.
Vetëm gjashtë më pak se Trepça 89 që është lidere.
Deri më tani ky ekip ka arkëtuar pesë fitore, gjashtë barazime dhe tri humbje.
Në Superligë – vendi i parë ngritet direkt, kurse vendi i dytë luan në baraz me vendin e tetë të elitës së futbollit kosovar./Shqip.com
