Lajme

“Komandant Malisheva” pëson sulm kardiak në burg, gjendja e tij është stabile

Komandant "Malisheva"

Muhamet Krasniqi apo i njohur si “Komandan Malisheva” ka pësuar një sulm kardiak në burg në Maqedoninë e Veriut, përcjell Shqip.com.

Lajmin e ka bërë të ditur vëllau i tij, Dardan Krasniqi, i cili tha se falë shokëve të tij, personelit të burgut dhe personelit mjekësor të Spitalit të Shkupit – “Komandant Malisheva” ka kaluar këtë sulm dhe gjendja e tij është stabile.

“Sot në orët e hershme të mengjesit, vëllau ynë Muhameti –  Komandant Malisheva, ka pasur një sulm kardiak të cilin fal shokëve të tij, përsonelit të burgut, përsonelit mjekësor të Spitalit të Shkupit – përmes ndërhyrjës së shpejt, e ka kaluar dhe këtë sfidë dhe ndodhët në gjendje stabile momentale në repartin intenzivë në Shkup ku i janë vendosur stendat!”, shkroi ndër tjerash ai.

Ndryshe, “Komandant Malisheva” është njëri nga të burgosurit e Grupit Kumanova, të cilët nga Gjykata Themelore e Shkupit janë dënuar me gjithsej 746 vjet burg, të akuzuar për terrorizëm në ngjarjet e 9 dhe 19 majit të vitit 2015.

Për veprën terrorizëm ishin akuzuar gjithsej 37 persona, prej të cilëve 7 me burg të përjetshëm. Të dënuarit me burgim të përjetshëm janë: Andi Krasniqi, Dem Shehu, Fadil Fejzullahu, Nasuf Zeqiri, Valdet Zekaj, Bek Bajra dhe Fejzulla Rushitovski.

Trembëdhjetë janë dënuar me nga 40 vjet burg: Esat Kafegjolli, Adrian Bujari, Shefqet Hallaqi, Betim Kabashi, Genti Sefaj, Enver Hoxha-Klajn , Rufki Dogani, Bajram Elshani, Nexhmedin Lika, Lirim Krasniqi, Sevdail Miftari dhe Fatmir Recica.

Përderisa 6 prej 37 të akuzuarve janë dënuar me nga 20 vjet burg.

Të dënuarit me nga 20 vjet burg janë: Fadil Elshani, Lirim Demiri, Hajrush Abdija, Lendrit Rustemaj, Mirsad Qerimi dhe Qenan Hiseini.

Kurse të akuzuarit e tjerët janë dënuar me nga 18 vjet e më poshtë. Ragmi Latifi është dënuar me 18 vjet heqjen lirie, Irfan Lutfiu me 14 vjet, Arsim Bajrami me 13, Musa Pajaziti me 12, Seadudin Abdullahu 14, Elham Arifi me 13 dhe Ebib Alimi me 12 vjet burg.

Shumica e të dënuarve janë shtetas të Kosovës, të cilët edhe llogariten si organizatorë të ngjarjeve në Lagjen e Trimave në Kumanovë.

Gjykata Penale i ka liruar si të pafajshëm Ibrahim Murtezanin, Besnik Bajramin, Fazli Osmanin dhe Besnik Ajdinin./SHQIP.com