Lajme

Dodë Gjergji: Krishtlindja është festë e gëzimit

Ipeshkvi Dodë Gjergji

Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji ka thënë se Krishtlindjes janë festa kur Zoti ka dashur të hyjë në botën e tyre, të bëhet si ta dhe të flasë në gjuhën e vet, në gjuhen e tyre dhe ata të mund ta kuptojnë porosinë e qiellit.

Në meshën solemne të Krishtlindjeve të organizuar nga Ipeshkvia e Kosovës, e cila u mbajt në Katedralen “Shën Nënë Tereza”, në Prishtinë, Dodë Gjergji ka pohuar se qytetarët e Kosovës duhet ta duan vendin e tyre, jetën dhe të ardhmen, pasi frika, pasiguria dhe zhgënjimi, si një virus po i bren përbrenda.

“Dhe të jetojmë ashtu siç e kemi dëgjuar letrën e Shën Palit, në këtë tokë derisa jemi gjallë denjësisht, ndershmërisht dhe përshpirtërisht”, është shprehur Dodë Gjergji.

Tutje, ai ka thënë se nëse festa e Pashkëve është festa lumturisë, pasi në Pashkë përmbyllet i gjithë projekti i shpëtimit që, sipas tij, Zoti ka planifikuar nëpërmjet birit të vet mbi tokë, atëherë Krishtlindja është festë e gëzimit.

“Edhe pse, arsyeja e këtij gëzimi ndryshon në cilësi dhe në përmbajtje të shumëkush. Fëmijët i gëzohen dhuratave, familjarët u gëzohen pushimeve të fundvitit e të gëzojnë me familjet e tyre”.

“Qytetarët kënaqen duke i shijuar dekorimet e qyteteve të veta, politikanët gëzohen në fërkim duarsh duke përshpëriu “shkoi edhe ky vit”, bizneset gëzohen duke llogaritur fitimet e tyre, e të varfrit u gëzohen ndihmave që kanë fituar nga njerëzit vullnetmirë”, ka thënë Gjergji.

Ai mes tjerash ka kritikuar Kuvendin e Kosovës, ku ka thënë se me miratimin e Ligjit për Abortin, ata deshën t’i fyejnë.

“Ç’është edhe më e trishtueshme, miratojnë ndërprerjen e jetës së palindurve dhe këtë akt e quajnë të drejtë, por edhe për turpin e tyre e për të fyer ndoshta edhe neve, parlamenti e gjeti që bash sonte ta miratonte Ligjin për Abortin”.

“Ne, nuk e humbim shpresën tonë, dhe këmbëngulim që të jemi ata që besojnë dhe shpresojnë dhe që i binden fesë që e duan jetën dhe që për dashurinë për jetën nuk do të ndalen kurrë të pushojnë duke e ngritur zërin për të”, ka thënë Gjergji.

Në fund, u ka bërë thirrje njerëzve ta duan Kosovën, t’i duan jetët e tyre dhe të mos hezitojnë për të sakrifikuar, sepse sipas tij, vetëm frikacakët ikin nga realiteti./SHQIP.com