MSh shkurton orarin e vaksinimit në tetë orë

Ministria e Shëndetësisë ka shkurtuar orarin e punës nëpër Qendrat e Vaksinimit në komunat e Kosovës, nga gjithëditor sa ishte, në orar tetë orësh.
Tani e tutje, vaksinën kundër COVID-19 mund ta merrni nga ora 07:00 deri në orën 15:00.
Ndërkohë, bëhet e ditur se ekipet mobile të vaksinimit do të jenë të pranishme në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” të Prishtinës dhe në pikat kufitare tokësore (me dy ndërrime), kurse në Qendrën Tregtare “Albi Mall” në Prishtinë qytetarët mund të vaksinohen nga ora 12:00-20:00.

“Duke marrë parasysh situatën epidemiologjike në vend dhe në rajon me COVID-19 dhe nevojën për vaksinim të plotë të popullatës, MSh u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër COVID-19”, thuhet në njoftim.
”Gjithashtu, MSh rikujton faktin që qytetarët me rastin e vaksinimit kundër COVID-19 në njësitë e vaksinimit mund të vaksinohen njëkohësisht edhe me vaksinën e Gripit sezonal”.
Në 24 orët e fundit janë dhënë 1.530 doza të vaksinës kundër COVID-19.
Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.662.553 doza të vaksinës.
Deri më sot 779.481 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë./SHQIP.com