Lajme

Qeveria shpall masa emergjente për kufizim të furnizimit me energji elektrike

Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për shpalljen e masave emergjente për kufizimin me energji elektrike, të cilat do të vlejnë maksimalisht për 60 ditë.

Vendimi është marrë në mbledhjen e 51-të të Qeverisë Kurti, e mbajtur të premten.

Sipas dokumentit të publikuar nga Zyra e Kryeministrit, masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Vendimi parasheh themelimin e një Komiteti Teknik Emergjent me qëllim të identifikimit dhe paraqitjes së rekomandimeve te Ministrja e Ekonomisë.

Ky Komitet ka për detyrë të rekomandojë zbatimin e masave për t’i trajtuar efektet negative të krijuara nga kriza ekonomike. Pas rekomandimeve Ministria duhet të publikojë masat kufizuese obligative.

Në arsyetimin e Qeverisë për këtë vendim thuhet se Kosova aktualisht është duke u përballur me vështirësi në sektorin e energjisë në Kosovë.

Sipas tyre, kjo ka ardhur si pasojë e rritjes së theksuar të konsumit të energjisë elektrike dhe pamjaftueshmërisë së gjenerimit të brendshëm për të mbuluar konsumin.

Faktor tjetër që është përmendur në arsyetimin e Qeverisë është edhe rritja enorme e çmimit të energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare.

Si pasojë e konsumit të shtuar për ngrohje, Qeveria ka thënë se mund të paraqiten disa pasoja si: armortizimi i aseteve, mosbalanc në sistemin interkonektiv, vërejtje nga ENTSO-E.

Me këto masa, obligohet Korporata Energjetike e Kosovës të disburzojë suvcencionet e Qeverisë për qëllim të importit të rrymës.

Aprovimi i vendimit mundëson zbatimin e masave menjëherë, por vendimi duhet të shqyrtohet për miratim edhe nga Kuvendi.

Ky i fundit për shtatë ditë nga pranimi i vendimit të Qeverisë, ka të drejtë ta refuzojë miratimin e tij duke i ndërprerë masat e aprovuara dhe të ndalojë gjendjen e emergjencës.

Vendimi parasheh masa për 60 ditë, por Kuvendi mund ta vazhdojë edhe për periudha tjera, me shumicë të votave të deputetëve që janë të pranishëm në seancë.

Afati më i largët që ka të drejtë ta shtyjë Kuvendi i Kosovës është 180 ditë shtesë./SHQIP.com