Lajme

Sulmuan policët, Prokuroria në Prizren ngrit aktakuzë ndaj pesë personave

Policia e Kosovës

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj pesë të pandehurve I.K., Sh.K., L.K., E.K., dhe N.K., për shkak se dyshohet që në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” dhe “Sulmi ndaj personit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, më 16 korrik të vitit 2020, në sheshin “Shadërvan” në Prizren, derisa patrulla policore ishte duke kryer puënn zyrtare, ata ishin sulmuar nga të pandehurit.

“I pandehuri i parë I.K., pronar i një restauranti në rrugën ‘Marin Barleti’, jo vetëm që nuk tregon letërnjoftimin me qëllim të identifikimit të indentitetit të tij sipas kërkesës së personit zyrtar, por përdor forcën fizike, në bashkëpunim dhe koordinim të veprimeve me të pandehurit e tjerë Sh.K., L.K., E.K., dhe N.K., duke i penguar personat zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare, po ashtu duke i sulmuar dhe duke i goditur me duar dhe me grushte zyrtarët policor.

Si pasojë e rezistencës aktive fizike nga ana e të pandehurve, zyrtarët policor – të dëmtuarit S.H., A.K., dhe V.K., si dhe vet të pandehurit I.K., dhe L.K., marrin lëndime të lehta trupore”, thuhet në aktin akuzues.

Tutje, Prokuroria ka njoftuar se prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës që pas administrimit të provave dhe mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.