Kosova të enjten pranon testet që mund ta identifikojnë variantin Omicron

Testet të cilat mund ta detektojnë variantin Omicron të Coronavirusit në Kosovë, pritet që të enjten të arrijnë në Aeroportin e Prishtinës.
Deri tani, Kosova ka dërguar mostra jashtë vendit për ta detektuar këtë variant, ndërsa shumë shpejtë testet për konfirmimin e Omicron pritet të kryhen në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
Kështu ka bërë të ditur për Shqip.com, zëdhënësja e IKSHPK-së, Era Pireva.
“RT PCR kitet e këtilla të porositura nga IKSHPK priten te arrijnë në Aeroportin e Prishtinës me datën 23.12.2021 dhe varet nga procedurat e zhdoganimit se sa shpejt do të arrijnë në IKSHPK, kështu që shumë shpejt do të kryhet konfirmimi i variantit Omicron te SARS-CoV-2 në IKSHPK”, ka thënë Pireva.
“Varianti Omicron i SARS-CoV-2 mund të detektohet edhe me RT PCR test që në mënyre specifike e shënjon (targeton) ndonjë nga mutacionet e S proteinës së SARS-CoV-2”, ka shtuar ajo.
Ndryshe, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, të mërkurën ka njoftuar se nga të gjitha mostrat e dërguara në Gjermani, asnjë rast nuk ka rezultuar pozitiv në variantin “Omicron”.

Shumica e vendeve tashmë kanë regjistruar rastet me Omicron. Të enjten, janë regjistruar dy rastet e para të këtij varianti në Shqipëri.
“Varianti Omicron mund të jetë më i butë sesa delta”
Dy studime të reja britanike kanë dhënë disa sugjerime të hershme se varianti i ri i COVID-19 Omicron mund të jetë më i butë se lloji Delta.

Rregullatorët e Shteteve të Bashkuara autorizuan pilulën antivirale COVID-19 të Pfizer, Paxlovid, për njerëzit me rrezik të lartë të moshës 12 vjeç e lart.
Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë paralajmëroi se nxitimi në vendet e pasura për të administruar vaksina përforcuese do të dëmtonte përpjekjet për të arritur barazinë globale të vaksinave dhe do të zgjaste pandeminë.
“Asnjë vend nuk mund të nxisë rrugën e tij për të dalë nga pandemia,” tha Tedros Adhanom Ghebreyesus./SHQIP.com