“Bashkëpunëtori i Milan Radoiçiqit është aksionar në një kompani me vëllaun e Hashim Thaçit”

Kompania “RAD” me pronar Radulle Steviq, që së fundmi është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si pjesë e grupit të Milan Radoiçiqit, ka kontraktuar kompaninë “N.N.T A.B.C” me pronar Arben Jetullahun për realizimin e një numri të madh projektesh në katër komuna me shumicë serbe, raporton Kallxo.com.
Jetullahu ka hapur kompaninë “Premium Bau” në Kosovë së bashku me biznesmenin, Bekim Pireva, që merret me prodhimin e asfaltit, përcjell Shqip.com.
Por, të njëjtën kompani, Jetullahu e ka hapur edhe në Mal të Zi, aksionar i së cilës është edhe Idriz Thaçi, vëllau i ish-presidentit të Thaçit, raporton Kallxo.com.
Kjo kompani, që aksionar është edhe Idriz Thaçi, është në përfundim të një kompleksi banesor në Ulqin.
Arben Jetullahu është deklaruar se me Idriz Thaçin janë partner biznesi vetëm në kompaninë e regjistruar në Mal të Zi, emri i së cilës është “D.O.O. Premium Bau – Ulqin”, raporton Kallxo.com.
Ai thotë se janë në përfundim të kompleksit banesor i cili ka pesë apo gjashtë mijë metra katrorë, investim për të cilin kanë bërë rreth 500 mijë euro nga secili person.
Ndërkaq, Idriz Thaçi, nuk ka folur para kamerave por që asistenti i tij, ka deklaruar se puna e përbashkët e vëllaut të ish-presidentit me Jetullahun e Pirevën është në qytetin e Ulqinit.
“Z. Idriz Thaçi merret me biznes që 40 vjet. Gjatë karrierës së tij biznesore ka bashkëpunuar me biznesmenë të shumtë vendorë dhe ndërkombëtarë. Z. Idriz Thaçi ka bashkëpunim biznesor me z. Jetullahu dhe z. Pireva vetëm në kompaninë “Premium Bau Ulqin”, në një projekt ndërtimor në Ulqin.
Çfarëdo ndërlidhje tjetër që bëhet është tendencioze për t’i dhënë raportimit konotacion politik dhe për të ndërtuar insinuata publike, të cilat gjithsesi që do të kenë pasoja juridike”, thuhet në përgjigjen për Kallxo Përnime.
Ndryshe, Idriz Thaçi merret me biznes tash e një kohë të gjatë dhe që hise ka në tri biznese, ku 50 për qind i ka në kompaninë “Geo-Minerals”.
Ajo kompani ka në pronësi dy biznese tjera, përkatësisht kompaninë “Geomineral AG” dhe “Gold Stone”.
Kurse, Bekim Pireva, aksionar i përbashkët me Idriz Thaçin, ka treguar se me këtë të fundit ka bashkëpunim vetëm për projektin ndërtimor në Ulqin, teksa shton se ka hapur biznese në Kosovë ku është aksionar me qytetarë serbë.
“Jemi vetëm tre aksionarë atje, unë bashkë me Arben Jetullahun dhe Idriz Thaçin, që të dy i njoh në Prishtinë kohë më parë. Po, Idrizi është vëllai i Hashim Thaçit, unë kam pasë edhe një kompani tjetër me disa serbë të Zupqit por nuk është më sepse nuk kemi mujtë me hapë fabrikën”, theksoi Pireva.
Kompania “RAD” dhe pronari i saj Radulle Steviq janë futur në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të ShBA-së së bashku me Millan Radoiçiqin, Zvonko Veselinoviqin, Sërgjan Vulloviqin, Zhelko dhe Andrija Bojiqin.
Në komunikatën e Departamentit amerikan të Thesarit, Veselinoviq identifikohet si udhëheqësi i grupit të krimit të organizuar dhe gjithashtu si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë.
Grupi i krimit të organizuar, sipas këtij Departamenti, është angazhuar në një skemë ryshfeti në shkallë të gjerë me zyrtarë të sigurisë kosovare dhe serbe.
Sipas tyre, përmes ryshfetit, lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Grupi gjithashtu ka komplotuar me politikanë të ndryshëm në disa marrëveshje quid pro quo, duke përfshirë ryshfetin në fillim të vitit 2019 të zyrtarëve kosovarë të sigurisë për të lejuar operacionet e tyre të kontrabandës ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe ryshfetin e fundit të vitit 2017 të zyrtarëve kosovarë të sigurisë kufitare për të lejuar kalimin e sigurt për kontrabandistët”, thuhet në këtë komunikatë. /SHQIP.com