Lajme Ballkan

Sali Berisha hyn me forcë në zyret e PD-së

Sali Berisha.

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka hyrë me forcë në selinë e Partisë Demokratike.

Mesditën e sotme grupi i udhëhequr nga Berisha është drejtuar për në selinë blu me anëtarët e komisionit të rithemelimit dhe mbështetësit.

Dyert e sallave ishin të mbyllura, ndërsa njëri prej mbështetësve të Berishës e hapi derën me forcë duke e goditur me shqelm, përcjell Shqip.com.

Përkrahësit e Sali Berishës duke hapur derën e PD-së me forcë

Ish-kryeministri dhe anëtarët e komisionit u futën brenda dhe nxorën mediat jashtë.

“Dilni përjashta. Dilni. Vazhdoni” dëgjohej duke thënë deputeti Flamur Noka.

Përballë sallës ku u fut Berisha, një takim ishte duke e zhvilluar Lulzim Basha me strukturat e PD-së.

Sali Berisha në sallën e selisë së PD-së

Komisioni i rithemelimit të PD-së është një organ i ri i krijuar nga kuvendi i 11 dhjetorit, që do të mbikëqyrë procesin e tranzicionit në kësaj partie, deri në votimin për një kryetar të ri, në muajin mars.

Në kuvendin e 11 dhjetorit u votua për shkarkimin e Lulzim Bashës, vendim që u ratifikua me një referendum në degët e PD-së në të gjithë vendin.

Ky kuvend nuk njihet nga Lulzim Basha dhe kryesia e PD-së, të cilët organizuan një tjetër kuvend kombëtar më 18 dhjetor, ku përjashtuan Sali Berishën nga funksionet drejtuese të partisë, për shkak të shpalljes “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës./Shqip.com