Kurti pas votimit të buxhetit: Krijimi i vendeve të reja të punës është prioritet i koduar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përshëndetur votimin e buxhetit për vitin 2022 në lexim të dytë.
Siç ka thënë ai, krijimi i vendeve të reja të punës është “prioritet i koduar” edhe në këtë buxhet.
Po ashtu, shefi i qeverisë ka falënderuar të gjithë deputetët që kanë votuar pro.
“Ky do të jetë buxhet i zhvillimit sepse me 40 milionë euro do të mbështesim prodhuesit vendorë, me 40 milionë euro tjera do të mbështesim ringritjen e ndërmarrjeve publike si Trepça e Telekomi, 70 milionë euro për bujqësinë, kurse për punësimin e garantuar për të rinjtë kemi ndarë edhe 20 milionë euro”, ka shkruar ai në Facebook.
Ndër të tjera, Kurti ka thënë se ky do të jetë buxhet i mirëqenies dhe solidariteti.

“Sepse kemi ndarë 45 milionë euro për shtesat për lehona dhe fëmijë, sepse kemi ndarë edhe 35 milionë euro për t’u siguruar se asnjë pension nuk mbetet nën 100 euro, dhe secilës familje në asistencë sociale shtesa prej 30% i bëhet e përhershme”.
“Ky është buxhet i investimeve sepse me mbi 700 milionë euro do të investojmë në arsim e shëndetësi, kulturë e sport, infrastrukturë e siguri. Na priftë e mbara!”, ka përfunduar ai.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar të premten në lexim të dytë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e vitit 2022.
Miratimi u bë në një seancë të jashtëzakonshme, me 65 vota pro, ndërsa u kundërshtua nga opozita.
Buxheti për vitin e ardhshëm është 2.7 miliardë euro./SHQIP.com