Lista Serbe bojkoton seancën, dështon sërish miratimi i Projektligjit për festat zyrtare

Ka dështuar sërish të hidhet në votim Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare.
Kjo pasi Lista Serbe ka bojkotuar seancën plenare të Kuvendit të Kosovës të hënën.
Për miratimin e këtij projektligji nevojiten 2/3 e votave edhe të deputetëve të komuniteteve joshumicë.
Iniciuesi i këtij plotësim-ndryshimi, deputeti i komunitetit egjiptian, Fridon Lala tha se Lista Serbe po ia pamundëson komunitetit egjiptian për ta pasur ditën ceremoniale të tyre.
“Siç po shihet po vazhdon bojkoti i Listës Serbe, kështu që ky plotësim-ndryshim ka nevojë për 2/3 e votave të deputetëve dhe komuniteteve”.
“Edhe sot mungon ky numër, kolegët tanë po e shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për t’ia mohuar një grupi tjetër, këtë rast komunitetit egjiptian për të pasur ditën ceremoniale të tyre”, tha ai.
Ndërsa, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se kushtëzimet që po i bënë Lista Serbe lidhur me këtë projektligj janë të pandershme./SHQIP.com