Lajme

Gjykata cakton një muaj paraburgim ndaj tre të dyshuarve për vrasjen në Gllogjan

Autobusi në të cilin ndodhi vrasja.

Gjykata Themlore e Pejës ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për tre të pëndehurit në lidhje me vrasjen e trefishtë që kishte ndodhur më 26 nëntor në Gllogjan të Deçanit.

Të pandehurit, H.M, K.M dhe M.M dyshohen se kanë kryer vrasjen e shoferit të autobusit dhe dy nxënësve në fshatin Gllogjan, përcjell Shqip.com.

Përveç kësaj, ata akuzohen edhe për kryerjen e veprës penale “mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”.

“Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda,ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve H.M, K.M dhe M.M, për shkak të dyshimit të bazuar se të njejtit kanë kryer vepër penale vrasje e rëndë nga neni 173 par.1 nënpar.1.5, 1.8 dhe 1.11 lidhur me nenin 31 KPRK-së dhe vepër penale mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”, thuhet në njoftim.

Gjykata Themelore në Pejë

“Të pandehuve H.M, KM dhe M.M iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se të njëjtit i kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen”, thuhet në kumtesë.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, për media kishte konfirmuar se në seancën dëgjimore që u mbajt sot prokurorja e rastit kishte kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për tre personat e ndaluar.

“Prokurorja e çështjes brenda afatit ligjor ka parashtruar kërkesën e caktimit të masës së paraburgimit dhe këtë kërkesë e ka elaboruar sot në seancën e procedurës paraprake dhe shpresojmë që gjyqtari të marrë vendim lidhur me këtë kërkesë”, ka thënë Nikçi.

Të dyshuarit ishin arrestuar të shtunën e 11 dhjetorit.

Arrestimet, i kishte konfirmuar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, të shtunën – gjatë një konference për media.

“Me vendimin e Prokurores së çështjes janë arrestuar tre persona me dyshimin se kishin kryer veprën penale të vrasjes së rëndë. Prokurorja e çështjes ka lëshuar vendimin 48 orë për ndalim, ndërsa është në përgatitje për dorëzimin e kërkesës tek gjyqtari i procedurës paraprake për jepjen e masës së sigurisë të së pandehurve”, kishte deklaruar Kurmehaj./Shqip.com