Lajme

Vrasja e trefishtë në Gllogjan: Prokurorja e rastit kërkon paraburgimin e tre të arrestuarve

Autobusi në të cilin ndodhi vrasja.

Në seancën dëgjimore për vrasjen e tre personave dhe lëndimin e një tjetri në fshatin Gllogjan të Deçanit, prokurorja e rastit ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për tre personat e ndaluar.

Kështu tha para gazetarëve, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.

“Prokurorja e çështjes brenda afatit ligjor ka parashtruar kërkesën e caktimit të masës së paraburgimit dhe këtë kërkesë e ka elaboruar sot në seancën e procedurës paraprake dhe shpresojmë që gjyqtari të marrë vendim lidhur me këtë kërkesë”, ka thënë ai para mediave, pëcjell Shqip.com.

Më tej ai theksoi se të arrestuarit dyshohen për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Nikçi, nuk ka dhënë më shumë detaje, për shkak të ndjeshmërisë së rastit.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi

Tre të dyshuar janë arrestuar më 11 dhjetor për vrasjen e tre personave që kishte ndodhur më 26 nëntor në Gllogjan të Komunës së Deçanit.

Arrestimet, i kishte konfirmuar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, të shtunën – gjatë një konference për media.

“Me vendimin e Prokurores së çështjes janë arrestuar tre persona me dyshimin se kishin kryer veprën penale të vrasjes së rëndë. Prokurorja e çështjes ka lëshuar vendimin 48 orë për ndalim, ndërsa është në përgatitje për dorëzimin e kërkesës tek gjyqtari i procedurës paraprake për jepjen e masës së sigurisë të së pandehurve”, kishte deklaruar Kurmehaj./Shqip.com